Bekteshi: Bullgaria kërcënon për gazin, nëse ka ndërprerje do kërkojmë dëmshpërblim

Maqedonia nuk do të lejoj të shantazhohet për ndërtimin e gazsjellësit të dytë në kufirin bullgar, tha Ministri i Ekonomisë, duke theksuar që vendi ynë ka të drejtë në kapacitet të lirë të gazsjellësit aktual që na lidh me Bullgarinë. Kreshnik Bekteshi bëri të ditur se vendi do të kërkojë kompensim nga Bullgaria dhe mbështetje shtesë nga Bashkimi Evropian nëse vendoset taksë për gazin natyror që shpërndahet përmes territorit të saj dhe sasitë e gazit të marrë me qira nga “Gazprom” për jug të Maqedonisë nuk janë liruar.

“Shantazhet janë të papranueshme për Maqedoninë se si do të investoj apo destinoj kapacitetet energjetike. Nuk mund të na shantazhojnë as Bullgaria dhe askush tjetër, kjo nuk do t’ju ecën sepse ne do të vazhdojmë ti intensifikojmë burimet e furnizimeve. Për këtë nuk ka kompromis! Për çështjen e lirimit të kapaciteteve është detyrë e BE-së sepse bëhet fjalë për liberalizim të plotë të tregut. Nuk mund të vihet taksë vetëm për një shtet”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Maqedonia aktualisht furnizohet vetëm nga gazsjellësi që kalon përmes Bullgarisë, ndërsa gazsjellësi i furnizimit nga Greqia akoma mbetet projekt, për ndërtimin e të cilit pritet të filloj nga fundi këtij viti.
Bullgaria vendosi një tarifë prej 10.23 euro për megavat orë të gazit rus që kalon nëpër territorin e fqinjit tonë lindor. Tarifa është futur përmes Ligjit për Kontrollin e Zbatimit të Masave Kufizuese ndaj Rusisë dhe i referohet importit dhe tranzitit të lëndëve të para. Vendosja e tarifës mori dritën jeshile edhe nga parlamenti bullgar. Tarifa shtesë mund t’i sigurojë Bullgarisë deri në 1.3 miliardë euro në vit, por rëndon ato vende që furnizohen me këtë energji nga Rusia përmes gazsjellësit në Bullgari.

“Procedura e përcaktimit të çmimit do të vazhdohet nga të dhënat e qershorit, por kërkuam të dhëna të azhurnuara që të specifikojmë shpenzimet e furnizimit me gaz natyror për të pasur një vendim preciz. Sot ose nesër do ti sigurojmë ato të dhëna dhe nga e hëna maksimun deri në fund të muajit do të sillet vendimi për çmimet e ngrohjes qendrore”, u shpreh Marko Bislimovski, Drejtor i KRRE-së.

Përderisa telashe të reja na dolën me gazifikimin e vendit, rreth 700 objekte publike në të gjithë vendin edhe këtë dimër do të vazhdojnë të ngrohen me naftë dhe mazut. Vetëm në Shkup janë 100 objekte publike, gjegjësisht spitale, kopshte, shkolla, kazerma, gjykata dhe institucione të tjera që përdorin naftë dhe mazut, pavarësisht se qyteti ka ngrohje qendrore. Hiç më mirë nuk janë as qytetet tjera si Tetova, Kumanova, Manasti, Prilepi, Ohri, Shtipi dhe Gostivari, thonë ambientalistët. Nëse dimri është i ftohtë, këto institucione mund të djegin mbi 16.5 milionë litra naftë dhe mbi 4.8 mijë tonë mazut. Shoqatat e mjedisit jetësor thonë se qytetarët do ta paguajnë me xhep 20 milion euro dhe me shëndetin e tyre. /Alsat.mk

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *