Shkruan: Sadije Aliti
“GJURMËT”
Dhe në u djegsha në valë
Dhe në u thafsha palë
Dhe në ngrifsha akull
Dhe në rrafsha shakull
Qoftë dhe nëpër borë po të eci
Një gjurmë nga unë do të mbesi.
Gjurmëve të poetit, fragment nga një poezi e poetit dhe mësuesit Nexhat Pustina, ishte edhe aktiviteti kulturor në Dibër e Tetovë. Shoqata e Shkrimtarëve Oeneum Tetovë në kuadër të manifestimit kulturorë “Homazh për poetin Nexhat Pustina”, realizoi disa aktivitete në Tetovë dhe Dibër, në 97 vjetorin e lindjes dhe 41 vjetorin e vdekjes.
Në Tetovë u bë shpalosja e pllakës përkujtimore te banesa ku ka jetuar poeti dhe përurimi i dhomës muze të poetit Nexhat Pustina, duke u pasuar me një orë letrare.
Në Dibër u bë vizitë te varri, një kurorë me lule, homazh për poetin, për të vazhduar me orën e madhe letrare në Pallatin e kulturës Dibër.
Fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum, Daim Iljazi, i cili theksoi se “Poeti sikur i krijoi epitaf vetes për së gjalli! E thurr poezinë edhe porosinë e fundit. Dy lule t’i mbillen atje ku do të vdesë dhe tek ai varr kërkon që t’i falin dy vjersha “që të mos vdesin asnjëherë”. Dhe e la amanet të varroset në Diber. Vdiq i ri, në moshën 56 vjeçare, ne shkuam ti bëjmë homazh në Dibrën e tij që e donte me zemër si Tetovën dhe vendosëm kurorë me lule të freskëta mbi varrin e tij e ia plotësuam amanetin dhe premtuam se emrin dhe veprat e tij tij nuk do ti harojmë kurrë”.
Përfaqësuesi nga Komuna e Tetovës, Valedin Ademi theksoi se e kemi obligim për të kujtuar emrat dhe figurat shqiptare që kanë dhënë kontribut për kulturën shqiptare sidomos edhe për qytetin tonë, andaj jemi në përkrahje e mbështetje të aktiviteteve iniciativave të këtilla kulturore”.
Ylber Pustina, djali i poetit theksoi:”Është një nder i veçantë për familjen tonë, ky nder dhe ky aktivtet që bëhet për babain tonë, dhe se ne si familje kemi trasur rrugën e prindërve tanë ndër vite e dekada për të kontribuar për arsim e kulturë”.
Jeton Pustina, nipi i tij, u shpreh:” Ju faleminderojmë shumë në rradhë të parë që e respektuat familjen tonë duke e përkujtuar figurën që dha shumë për letërsinë dhe arsimin shqip që nga Struga deri në Kumanovë”.
Nxënësit e Gjimnazit “28 Nëntori” në Dibër, Erza Capa, Gent Muça, Vlera Sela, Zog Fetahu, Arta Sela nën përkujdesjen e profesoreshës së gjuhës shqipe Dashamire Spahiu, prezantuan poezi nga opusi krijues letrar i poetit Nexhat Pustina.
Kryesia e Shoqatës së Shkrimtarëve Oeneum Tetovë, faleminderoi poetin dhe mikun e Shoqatës Nuri Koleci, për mbështetjen dhe ndihmesën në organizimin e këtij aktiviteti kaq të bujshëm në Dibër, poashtu edhe shprehi një faleminderim edhe për drejtoreshën e Qendrës për Kulturë në Dibër, Edona Aliti. Komuna e Tetovës e mbështeti financiarisht këtë aktivitet.
Mirënjohje për kontributin e dhënë në arsim e kulturë shoqata u ndau edhe Adile Pustinës, ndërsa pllaket Nexhat Pustinës.
Në Dibër poezi lexuan: Nuri Koleci, Rudina Patku, Daim Iljazi, Behare Neziri, Adem Abdullahu, Bajramali Selimi, Ejup Ajdini, Sadije Aliti, Merita Isaku, Emine Islami, Ermira Ibishi, Amra Pajaziti, Merita Abazi, Rami Kamberi.
Nexhat Pustina botoi me poezi këto vepra: “Zë bylbili – lule maji” – 1968, “Zëri në shtërngatë” – 1972, “M’i vjedhin gurët” – 1981, “Kënga e fundit” -1982, dhe Lirika-përmbledhje 2017.
Poeti dhe mësuesi i njohur tetovar, i lindur në Dibër, i përndjekur nga pushteti, duke bredhur në fshatra e qytete, u bë poet i të gjithëve, poet i kombit.
“Nuk ka Dibër të Madhe e Dibër të Vogël por vetëm DIBËR dhe s’ka Shqipëri të Madhe dhe Shqipëri të vogël por vetëm SHQIPËRI”-ishte pororsia e poetit.
Njëherit u përurua edhe revista “Plejada” katër numra për një vit, që u shpërndanë para dibranëve.