Udhëheqësit e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, dhe ata të rajonit sot do të takohen së bashku në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berilinit.
E në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili mbrëmë ka udhëtuar drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit për media nga Zyra e Kryeministrit, është bërë e ditur se në margjinat e këtij takimi, Kurti do të ketë takime bilaterale, përfshirë atë me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij theksoi se në këtë samit nuk është synimi për diskutimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit si dhe për sulmin në veri të Kosovës, por do të ketë një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësinë në rajon.
Me pjesëmarrjen e presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim Oliver Verhelyi, dhe shumë zyrtarë tjerë evropianë, dëshirojnë të dëshmojnë se sa e përkushtuar është BE-ja në mbështetje të këtij procesi.
Procesi i Berlinit nuk është një proces formal i politikës së BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Është një nismë e Gjermanisë, e mbështetur nga vendet tjera të BE-së si Austria, Sllovenia, Kroacia e pastaj edhe Franca, Italia, Polonia dhe të tjera, që ka për qëllim të ndihmojë në zhvillimin e rajonit, bashkëpunimin e ndërsjellë mes tyre, të sigurojë tërheqjen e investimeve dhe në këtë mënyrë t’i ndihmojë ato vende në përgatitjen e tyre për anëtarësim në BE, në një të ardhme./Telegrafi/