Kuvendi i Kosovës, me 67 vota për, 30 vota kundër dhe asnjë abstenim, ka votuar përbërjen e re të Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
Kryeministri i zgjedhur i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se nga dita e sotme është kryeministër i tërë qytetarëve të vendit, duke falënderuar të gjithë votuesit në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka deklaruar se secila votë që i është dhënë Lëvizjes Vetëvendosje është për ta kthyer vendin për së mbari.
“Kjo është përgjegjësi e madhe andaj pritet që të jeni të përgatitur mirë. Mos u sillni me arrogancë ndaj opozitës, sepse ashtu siç u kanë dhënë votën qytetarët, ashtu edhe ua marrin. Ne do të udhëheqim me parime dhe besim. Duhet të punoni për aq sa keni mandat që të dëshmoni se jeni meritor në pozitat që jeni vendosur”, ka deklaruar Kurti duke iu drejtuar ministrave të zgjedhur.
Kurti në seancën e parë si kryeministër ka shtuar se për të arritur ndryshim duhet “bashkëpunim dhe mentalitet i ri i punës”.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vendi nuk bëhet nëse vetëm rrinë. Sipas tij, mospajtimet e partive duhet të jenë për gabime e jo për inate.
Ai ka thënë se Qeveria e tij do të bashkëpunojë me opozitën e shoqërinë civile.