Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit solli edhe më shumë forca speciale të policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.
Vetëm dy muaj e gjysmë më parë, Qeveria e Kosovës ishte pajtuar për të zvogëluar praninë e kësaj njësie në zonën e banuar me shumicë serbe.
Kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.
Situata atje u acarua nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, nën përcjelljen e policisë speciale, u vendosën në objektet komunale.
Veprimi nxiti reagimin, herë-herë edhe të dhunshëm, të popullatës lokale, që kundërshton si kryetarët shqiptarë, ashtu edhe praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës.
Pas trysnisë disajavëshe të BE-së, Qeveria e Kosovës u dakordua ta zvogëlojë përgjysmë praninë e njësisë speciale përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje.