Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj personit i cili ka kanosur gazetarin Bujar Vitija të portalin “Gazeta Shneta”.
Në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.E., për shkak të veprës penale “Kanosja”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, më 27 gusht 2022, rreth orës 23:30 në Prishtinë, pasi i dëmtuari Bujar Vitija, në cilësinë e gazetarit, paraprakisht kishte publikuar një artikull në portalin “Gazeta Shneta”, lidhur me specializimin e të pandehurit, ky i fundit i revoltuar nga ky shkrim, me qëllim të frikësimit, nga llogaritë e tij në rrjetin social “Facebook”, e kanosë seriozisht të dëmtuarin duke i shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën.
Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Në rrjetin e tij social, gazetari Vitija, ka treguar se bëhet fjalë për mjekun Arben Esati nga Tetova.
“Prokuroria paska ngritur aktakuze ndaj mjekut Arben Esati nga Tetova, nje vit pasi me ka kercenuar per shkak te shkrimit “specializanti” misterioz. Po me vjen mire qe drejtesia paska vepru dhe shpresoj qe rasti te shkoj deri ne fund.