Pjesa e tretë
Autor: Daut Emini, magjister i ndërtimit
Është e vështirë të kuptohen rrënimet aq masive të objekteve nga termeti nga një profesionist i ndërtimit. Akoma më vështirë është kur kupton se nën gërmadha të objekteve të rrënuara ka shumë viktima. Në shumë raste, nga objektet e rrënuara në Durrës dhe rrethinë, nuk ka dalë asnjë i mbijetuar! Pikërisht këtu edhe fillon kjo Analizë profesionale!. Shpresoj të lexohet drejtë dhe me kujdes kjo Analizë, të regjistrohet në memorrijen e gjithësejcilit dhe të përdoret saherë do të jetë përpara zgjidhjes së problemit të banimit. Kjo Analizë duhet të jetë një udhërëfyes për punën institucionale dhe profesionale në sferën e investimeve në ndërtim. Investimet në ndërtim, në veçanti në objektet e banimit, nuk duhet të shihen vetëm nga aspekti përfitues, por aspekti human duhet të jetë qëllimi kryesorë! Para çdo ndërtimi duhet te jetë primare siguria e jetës së njerëzve që do të jetojnë në objektet përkatëse. E njëjta vlenë edhe për ata që bëjnë investime për nevoja personale, të ndërtojnë objekt individual banimi, ose duan të investojnë për të siguruar një banesë në një objekt kolektiv banimi! Para çdo investimi në objekte banimi, primare për të gjitha palët e interesit, nga institucionet e shtetit, qendrore dhe lokale, kompanitë projektuese dhe ndërtimore, gjithë stafet profesionale për zbatimin dhe kontrollimin e ndërtimit, duhet të jetë mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve! Të gjitha ndërtimet duhet të garantojnë siguri për jetën e njerëzve në raste të fatkeqësive natyrore, në veçanti të sigurojnë jetën e njerëzve nga çdo termet eventual që mund të ndodhë! Çdo objekt banimi, që nuk ndërtohet sipas standardeve ndërtimore, është “një bombë e kurdisur” që aktivizohet pikërisht në termete. Fakti se termete ka pasur dhe do të ketë edhe në të ardhmen, aq më parë kur çdo ditë ndodhin tragjedi nga termetet nëpër botë, është obligim i Shtetit për të vendosur një kulturë të përhershme në hartimin dhe zbatimin paketës ligjore për investime në ndërtim, si garanti dhe përgjegjësi kryesor për kujdesin dhe mbrojtjen e jetës së njerëzve!
Planifikimi, hallka e parë e përgjegjësisë institucionale
Çdo shtet e ka të rregulluar planifikimin e territorit. Plani strategjik hapësinorë i Shtetit ka të përcaktuar në detale parametrat zhvëllimore në çdo pjesë të territorit, si dhe përcakton parametrat zhvëllimore në të gjitha fushat. Padyshim se pjesë e Planit strategjik hapësinorë është edhe historiku ndryshimeve të një vendi gjatë viteve. Aty përshkruhen të gjitha rastet kryesore që kanë ndodhur në të kaluarën, siç janë rastet e fatëkeqësive natyrore. Dhe, për çdo pjesë të territorit përshkruhet historiku i rasteve të termeteve që kanë ndodhur në të kaluarën. Pjesë e Planit strategjik hapësinorë janë edhe hartat seizmike, ku tregohet zonat seizmike dhe shkalla e rrezikshmërisë nga termetet në të ardhmen.
Planit Strategjik hapësinorë për rregullimin e territorit është baza kryesore e hartimit të paketës ligjore për planifikim dhe ndërtim në shtetet përkatëse. Të gjitha shkallët e planifikimit në vijim, siç janë: planet gjenerale dhe planet detale, si dhe çdo projekt urbanistik, duhet të jenë në përputhje të plotë me Planin Strategjik hapësinorë për rregullimin e territorit të një Shteti. Institucionet përkatëse të shtetit, lokale dhe qendrore, e kanë obligim ligjor të hartojnë, zbatojnë dhe të kontrollojnë planifikimin e territorit në të gjitha fazat e tij. –vazhdon-