Në Gjykatën Themelore në Tetovë sot në orën 12:00 duhet të merret aktvendimi për të akuzuarit në procesin gjyqësor për zjarrin në spitalin modular që ndodhi më 8 shtator 2021 ku jetën e humbën 14 persona. Më 29 maj u prezantuan fjalët përmbyllëse të Prokurorisë dhe avokatëve të të akuzuarve, pas së cilës gjykatësi Jordan Vellkovski theksoi se ka përfunduar seanca kryesore dhe se aktvendimin do ta kumtojë më 5 qershor, të hënën në orën 12:00.
Ish drejtorët e Spitalit klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi akuzohen për veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, ndërsa mjeku Boban Vuçevski për “mosrespektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”. Spitali klinik si subjekt juridik akuzohet për dy vepra penale, së pari për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë”.
Të dyshuarit gjatë fillimit të gjykimit theksuan se e kuptojnë aktakuzën, por se nuk ndihen fajtorë. Gjykimi filloi në dhjetor të vitit 2022.