Trazimet në drejtësi nuk ndalen pas letrës së ambasadores amerikane, Angela Aggeler, drejtuar disa institucioneve në vend, në të cilën shprehte shqetësimin për mënyrën e procedimit dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore të profilit të lartë.
Pas reagimeve fillestare të përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv se gjyqtarët dhe ata që drejtojnë punën e tyre duhet t’u përgjigjen vërejtjeve, institucionet e drejtësisë këto ditë janë rrethuar nga turbulenca që rezultuan me shkarkimin e kryetarit të Këshillit Gjyqësor, që disa ekspertët juridik e konsiderojnë të paligjshme, përcjell Telegrafi Maqedoni.Këshilli Gjyqësor ka shkarkuar të mërkurën në mënyrë të papritur kryetaren Vesna Dameva në një seancë publike. Arsyeja direkte e shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rendin e ditës dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja Aggeler. Shkarkimi i saj u nis nga deputeti Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia.