Trupat ukrainase kanë ngritur pozicione në bregun lindor të lumit Dnipro në rajonin jugor të Khersonit, thonë raportet.
Rajoni është pjesërisht i kontrolluar nga Rusia dhe kalimi i lumit mund të jetë i rëndësishëm në ofensivat e ardhshme, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
BBC Ukraine thotë se burimet e saj ushtarake kanë raportuar një “lëvizje të caktuar nëpër Dnipro” pranë qytetit Kherson.
Ushtria e Ukrainës nuk e ka konfirmuar lëvizjen, ndërsa Rusia i ka mohuar raportimet.
Por nëse raportet se Ukraina ka siguruar një urë në bregun lindor janë të sakta, mund të jetë domethënëse për të ndihmuar Kievin që të largojë trupat ruse.Një avancim ukrainas në zonë, në të ardhmen, madje mund të shkurtojë korridorin tokësor në gadishullin e Krimesë të Ukrainës, të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.