Dje, më 12.04.2023 (e mërkurë), studentët e viteve të treta të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, nga programi studimor i Kriminalistikës dhe programi i Drejtësisë, e vizituan Burgun e Tetovës. Vizita e burgut u realizua nën udhëheqjen e Prof. Dr. Afrim Osmanit, si bartës i lëndës së Penologjisë, e cila i referohet ekzekutimit të sanksioneve, me theks të veçantë dënimit me burg.
Gjatë kësaj vizite, studentët drejtpërdrejtë dhe hollësisht u njoftuan me funksionimin e këtij burgu, kuadrin me të cilin disponon, kushtet e përgjithshme, ato higjienike, shëndetësore, etj., si dhe me inventarin e brendshëm të Burgut të Tetovës. Ky njoftim i studentëve u realizua nga drejtori i Burgut, Qefali Havziu, si dhe nga personeli të cilin e kishin studentët në dispozicion për pyetje gjatë tërë kohës përderisa ishin në vizitë në hapësirat e këtij burgu.
Interesimi i studentëve ishte i madh, që këtë e dëshmuan edhe përmes parashtrimit të shumë pyetjeve, që ua drejtuan drejtorit dhe personelit të Burgut të Tetovës.