Mosrespektimi i çmimit të fiksuar të bukës prej 33 denarë, kilogrami joadekuat, mospasja e të paktën 80 për qind e produkteve në rafte, janë vetëm një pjesë e shkeljeve që ka konstatuar Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) në terren gjatë realizimit të kontrolleve.
Siç tha sot drejtori i ISHT-së, Goran Trajkovski, emrat e kompanive që kanë bërë shkelje do të bëhen të ditura, por pasi të kenë përfunduar plotësisht procedurat për to.
“Do t’i tregoj emrat e kompanive të cilët i kanë shkelur vendimet qeveritare kur të përfundojnë procedurat. Emrat nuk do të publikohen sot për shkak të kompleksivitetit të rasteve. Janë duke u lëshuar urdhërpagesa dhe deri në përfundimin e lëndës nuk do t’i them emrat, por pas kësaj”, theksoi Trajkovski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në marketin e lagjes Taftalixhe të Shkupit, së bashku me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.