Drejtori i Përgjithshëm i platformës jashtëzakonisht të njohur “TikTok”, Shou Zi Chew, dëshmoi dje për më shumë se pesë orë përpara komisionit të Kongresit Amerikan, pasi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duan të intensifikojnë kontrollin e aplikacionit kinez.
Siç raportohet nga CNN, Shou Zi Chew foli para Komitetit të Energjisë dhe Tregtisë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe ishte hera e parë që CEO i platformës u shfaq para një komiteti të Kongresit.
Chew i arsimuar në Harvard, i cili dikur ka zhvilluar praktikë në Facebook-un e Metës rreth 2 viteve, ishte i vetmi dëshmitar në seancë mes shqetësimeve për rreziqet e mundshme të sigurisë dhe privatësisë.
SHBA ka frikë se regjimi kinez ka fituar akses në të dhënat e përdoruesve amerikanë, ndërsa disa shprehin shqetësimin se aplikacioni mund të përdoret për propagandë ose për të manipuluar qytetarët.
“TikTok me vetëdije lejoi Partinë Komuniste Kineze të aksesonte të dhënat e përdoruesve të SHBA. Qytetarët amerikanë kanë të drejtë të dinë se si këto veprime ndikojnë në privatësinë dhe sigurinë e të dhënave të tyre,” tha në një deklaratë me shkrim deputetja republikane Kathy McMorris Rogers, e cila kryeson komitetin.
Në fjalimin e tij, Shou Zi Chew theksoi se platforma është e sigurt dhe nuk duhet të ndalohet nga autoritetet amerikane.
Ai gjithashtu vuri në dukje se 150 milionë njerëz në SHBA janë përdorues aktivë të platformës, gjë që ai tha se tregon se sa i përdorur është tani TikTok ndërsa Uashingtoni përpiqet ta ndalojë atë.