Zëvendës-kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka është i gatshëm të zgjasë qëndrimin e tij në klub dhe bisedimet janë zhvilluar për një kontratë të re, raporton 90min.
Lojtari shqiptar që përfaqëson Zvicrën ka arritur ta kthejë plotësisht karrierën e tij te Topçinjtë gjatë dy sezoneve të fundit.
Ai dukej se po shkonte drejt largimit, pasi sulmoi tifozët në një barazim 2-2 në shtëpi ndaj Crystal Palaces në tetor 2019, duke iu hequr më pas shiriti i kapitenit.
Një lëvizje në Hertha Berlin ishte afër të realizohej, por Mikel Arteta e bindi Xhakën të ndryshonte mendje dhe të qëndronte në klubin që iu bashkua nga Borussia Monchengladbach në vitin 2016.
30-vjeçari e ka çimentuar statusin e tij si një nga mesfushorët më të mirë në Ligën Premier – duke luajtur një rol kyç në ngritjen e Arsenalit dhe në sfidimin për titull.