“Simbolikisht kemi zgjedhur ta hapim këtë ditë jo me ceremoni, por me mbledhje. Sepse dëshirojmë të përcjellim mesazhin se puna dhe festa në Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë”.
Kështu tha kryeministri i vendit, Albin Kurti të premten, në ditën ku po shënohet 15 vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kurti gjatë mbledhjes solemne të Qeverisë së Kosovës tha se Pavarësia e Kosovës është arritur përmes luftës dhe sakrificës, por siç shpreh ai “pavarësia jonë duhet të rritet vetëm përmes punës, e jo përmes rrugëve të shkurta që premtohen nga njerëz jo serioz”.
Tutje ai foli edhe për qytetarët e vendit të cilët kanë shkuar nëpër vende të ndryshme për një jetë më të mirë.
“Ata punojnë këtu por edhe jashtë vendit, ku kushtet janë më të mira dhe shpërblehen për punën e tyre. Në këtë festë, 15 vjetor të pavarësisë duhet t’ia përkujtojmë vetes se detyra jonë kryesore është që kur të vij 20 vjetori të jenë shtuar e shumëfishuara arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin Kosovën për një të ardhme profesionale, të plotë e për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.