Nga nesër derivatet do të lirohen për tre denarë

Nga mesnata sërish ulet çmimi i karburanteve. Dizeli dhe 95-ta do të lirohen për tre denarë, kurse 98-ta për një denar e gjysmë më e lirë. Sipas KRRE-së çmimet e reja nga nesër do të jenë 90 denarë për një litër dizel, 88,5 denarë për Eurosuper 95 dhe 90,5 për Eurosuper 98. Vaji ekstra i lehtë për amvisëri ulet për 2,5 denarë dhe do të jetë 85 5 denarë për litër. Vendimi i sotëm për uljen e çmimeve është rezultat i rënies së dollarit dhe uljes së kërkesës për naftë në nivel global, kryesisht për shkak se ka disa qytete në Kinë që janë plotësisht të mbyllura për shkak të Covid-it dhe pritet ulje e aktivitetit ekonomik.

“Arsyeja kryesore ishte se është ulur kursi i dollarit, i cili ishte diku nga 64 denarë, gjatë javës së kaluar ishte nën 60 denarë. Vendimi për ndalimin e eksportit të naftës ruse do të ketë ndikim të madh, domethënë do të zbatohet, por vetëm me një çmim të kufizuar”, deklaroi Marko Bislimovski, kryetar i KRE-së.

Bislimovski tha se për momentin nuk mund të thuhet se kur do të ketë ulje më serioze të çmimit të derivateve. Problem i madh është se rafineria e Shkupit nuk punon me vite dhe nuk mund të prodhojë derivate të gatshme. Qytetarët reagojnë rregullisht kur vijnë informacione se çmimi i naftës së papërpunuar shënon rënie në bursë ndërsa në të njëjtën ditë në Maqedoni, KRRE paralajmëron rritje të çmimit të karburanteve në vend.

“Ne nuk e përfshijmë çmimin e naftës së papërpunuar, veçanërisht të naftës-brend, në përllogaritjet tona sepse nuk kemi kapacitet prodhues apo rafineri që do të përpunonte naftë të papërpunuar”, u shpreh Marko Bislimovski, kryetar i KRE-së.

Pas njoftimeve për embargo ruse të naftës, vetëm në territorin e Bashkimit Evropian do të duhet të sigurohen në baza ditore rreth 600 mijë fuçi naftë. Këto sasi do të duhet të blihen nga Amerika, Lindja e Mesme dhe India. Nëse ky sanksion ndaj Federatës Ruse do të shkaktojë turbulencë në çmimet e pompave të benzinës në Maqedoni, do të dihet për më pak se një muaj. /Alsat.mk

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *