Shqipëri-Angli mund të vihet në rrezik për luajtjen nga arsye sigurie. Gazeta “Panorama Sport” ka siguruar një letër konfidenciale që FSHF i ka dërguar së fundmi Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si dhe duke vënë në dijeni Inspektoratin Urbanistik Vendor në Bashkinë e Tiranës, kryebashkiakun Erion Veliaj si dhe kryeministrin Edi Rama. Gazeta ka mësuar se në direktivat e dhëna nga UEFA kërkohet largimi i ambienteve tregtare rreth stadiumit.
LETRA – Nisur nga direktivat që ka dhënë UEFA për ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës, FSHF është vënë në lëvizje duke njoftuar dhe kërkuar nga IKMT zbrazjen e hapësirës rreth stadiumit “Air Albania”.
“Panorama Sport” publikon letrën që si më poshtë citohet: “Në ambientet komerciale të këtij impianti sportiv janë instaluar biznese dhe subjekte të ndryshme, të cilat operojnë në fusha të ndryshme, kryesisht shërbime bari-kafeterie.
Paraprakisht, për ne si federatë është shumë e rëndësishme të theksojmë se prania e këtyre operatorëve i jep jetë dhe kontribuon jo vetëm në mirëqenien e bizneseve, por edhe në larmishmërinë e shërbimeve që ofron ky impiant gjigant.
Gjithsesi, me shqetësim kemi konstatuar se zgjerimi i pazakontë i bizneseve në perimetrin e stadiumit ‘Air Albania’, çdo ditë e më shumë po shndërrohet në një problematikë që del përtej zhvillimit të një biznesi, e duke u kthyer në një element penalizues dhe bllokues për funksionin bazë të këtij impianti, organizimin e ndeshjeve të futbollit.