Studentët e Fakultetit të Arteve, të programit studimor Artet Dramatike dhe Audio-vizuale, e përfaqësojnë Universitetin e Tetovës në Takimet Ndërkombëtare Studentore “Skomrahi”, që i organizon Fakulteti i Artit Dramatik në Shkup, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e jubileut të 30-të. Ky takim ndërkombëtar i studentëve do të zgjasë pesë ditë, prej 1 – 5 nëntor 2022.
Studentët tanë të aktrimit, Besian Sulejmani, Elton Tahiri, Plumb Beadini, Jurgen Liçkollari, Edmond Sadiki dhe Albrim Kryeziu, të udhëhequr nga Prof. Inord. Kushtrim Bekteshi dhe Ass. Elmir Sejfullai, në skenën e Fakultetit të Artit Dramatik në Shkup u prezantuan para publikut me shfaqjen e provimit të vitit të dytë “Ariu dhe Mblesëria”, shfaqje kjo që u mirëprit nga publiku.
Studentët tanë, përveç shfaqjes në kuadër të këtyre takimeve do të ndjekin punëtori (work shope), shfaqje teatrore dhe filma të realizuar nga studentët e fakulteteve të arteve dramatike dhe audio-vizuale nga Maqedonia e Veriut, Gjermania, Kroacia, Serbia, Anglia dhe Turqia.
Në këto takime, bashkë me studentët marrin pjesë edhe dekani i Fakultetit të Arteve i UT- së, Prof. Ord. Senad Abduli, si dhe dekani i Fakultetit të Artit Dramatik nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” i Shkupit, Prof. Ord. Mimi Tanevska, si dhe përfaqësues nga universitete të tjerë pjesëmarrës.