Plani franko-gjerman, Kurti të enjten pritet t’ua prezantojë qëndimin e tij Scholzit dhe Macronit

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi një ditë më parë ka folur për propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa bëri të ditur se kryeministri Albin Kurti propozimet e palës kosovare pritet t’ua prezantojë më 3 nëntor kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.

Bislimi në një intervistë për REL deklaroi se ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.

“Ata që janë inkuadruar në debatin për planin franko-gjerman apo gjermano -francez, elementi i parë që e dinë është që ka pasur një dakordim që për elementet e planit të mos flitet publikisht, në mënyrë që palët të mund të kontribuojnë tutje në avancimin e kësaj ideje.

Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit.

Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha ai.

Sipas zëvendëskryeministrit, është një propozim që pak a shumë, si pikënisje ka një brengë ndoshta te vendet mike si Gjermania dhe Franca, që procesi i Brukselit nuk po ec me ritmin e duhur, që situata gjeopolitike në Ballkan nuk është edhe aq e mirë.

“Andaj, edhe propozimi që del nga aty, është në kontekst të këtyre zhvillimeve. Është një ide që raportet Kosovë-Serbi të zgjidhen në dy faza, ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, por ne besojmë që është më shumë, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, tha Bislimi.

Zëvendëskryeministri më tej shtoi se propozimi është parë nga një grup shumë i vogël i njerëzve në Kosovë.

“Në këtë fazë, unë nuk mund të flas për përshtypjet, vlerësimet tona apo propozimet tona, por mund të them që propozimet i kemi të shkruara dhe të dërguara te Scholz dhe Macron”, tha ai, ndërkaq, se a pritet të jenë publike pas takimit që do të ketë kryeministri Kurti në Berlin, ai shtoi “U takon krerëve të shtetit të vendosin, por edhe atyre që kanë propozuar se kur është momenti që përmbajtja e idesë (propozimit franko-gjerman) të bëhet publike”.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *