Kasami: Arsimi shqip ka nevojë për tekste të unifikuara

Shkollat e para në gjuhën shqipe në Maqedoni në vitin 1941, hapin një faqe të re të historisë, pikërisht në kohën më të vështirë pra atë të luftës së Dytë Botërore theksoi kryetari i Tetovës Bilall Kasami, në konferencën e organizuar nga Shoqatës Akademike të Shqiptarëve për Shkencë dhe Art.

Vetë fakti që mësuesit e parë nisin punën në këtë periudhë flet për përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për të hapur shkollat dhe për të nisur procesin arsimor, duke vënë themelet e zhvillimit të shoqërisë pra arsimimin. Sot, Ne e kemi shumë të lehtë të flasim për mësuesit, shkollat, për arsimin në përgjithësi, por gjithnjë duhet të mbështetemi tek mësuesit e parë të cilët kanë sakrifikuar shumë, që dijen dhe njohuritë e tyre t’i përçojnë te të gjitha gjeneratat e reja.
Nuk guxojmë të harrojmë kontributin dhe sakrificën e mësuesve të parë shqiptar në Maqedoni,  që kryesisht vinin nga Shqipëria, por të cilëve më vonë iu bashkuan edhe shumë mësues të trevave tona.
Konferenca e sotme vjen në kohën kur shkollat tona dhe arsimi shqip kanë nevojë për një reformë më thelbësore.
Këtu vlen të ceket se librat  e abetares dhe librat e Gjuhës shqipe duhet të jenë të njëjtë në të gjitha trevat ku flitet shqip, ashtu siç kanë qenë edhe në vitet  e para të hapjes së shkollave shqipe. Kthimi në librat e parë do t’i ofrojë akoma më tepër nxënësit shqiptar dhe shkollat shqipe, dhe kjo mund të arrihet edhe përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave në mes tyre.
Komuna e Tetovës që në fillim me gjithë kapacitetin që posedon është vënë në funksion të zhvillimit të arsimit dhe krijimit të kushteve për të përmirësuar cilësinë në arsim. Sot të gjithë Ne, duhet të punojmë në këtë drejtim që nxënësit tanë dhe shkollat tona të jenë në konkurrencë me shkollat më të njohura evropiane dhe besoj se ne i posedojmë të gjitha kushtet e nevojshme. Shpresoj se kjo Konferencë do të reflektojë edhe tek drejtuesit e institucioneve arsimore dhe mësimdhënësit që të përkushtohen më tepër në këtë drejtim.
Ju faleminderit për vëmendjen

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *