Ditët po afrohen dhe Kombëtarja sh qiptare duhet të nisë përgatitjet për dy ndeshjet e radhës. Në kuadër të Ligës së Kombeve, ku nisja e këtij rrugëtimi në Ligën B, nuk ka qenë edhe aq pozitive, pasi kuqezinjtë kanë marrë vetëm një pikë në dy ndeshje, duke barazuar me Islandën dhe humbur me Izraelin, dy takimet e radhës do të jenë me po të njëjtët kundërshtarë.
Ndryshe nga muaji qershor ku u luajtën edhe ndeshjet e para, tani përfaqësuesja po përballet me një situatë kaotike në lidhje me lojtarët. Nëse para tre muajsh mungesat ishin me pikatore, aktualisht një pjesë e mirë e titullarëve janë të dëmtuar. Edi Reja këtë herë do të jetë i kushtëzuar, njësoj si në përballjen me Poloninë për kualifikueset e Botërorit, ku mungonin Gjimshiti, Cikalleshi, Gjasula, Abrashi dhe Balliu. E njëjta situatë duket sikur po përsëritet edhe pse disa emra të rinj janë afruar në organikë, çka do të bëjë që gropa e mungesave nuk do të duket edhe aq e thellë.
Kapiteni Etrit Berisha është akoma jashtë fushave si pasojë e një dëmtimi dhe nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për në datën 24 dhe 27 shtator, atëherë kur janë edhe përballjet me Izraelin dhe Islandën. Nëse ai nuk ia del, Strakosha është gati, por problemi i Tomasit është që deri tani ka luajtur vetëm një ndeshje Kupe me Brentfordin, ndërsa në kampionat ka qëndruar në stol.
Kumbulla dhe Dermaku kanë pësuar tërheqje muskulore, ndërsa Gjimshiti nuk do të jetë i disponueshëm. Duke dëgjuar trajnerin e Atalantës Gasperini, rikuperimi i mbrojtësit po shkon mirë. “Për Gjimshitin doktori më tha se fraktura po shërohet mirë, po shërohet sipas parashikimeve”, u shpreh trajneri. Edi Reja nuk dihet nëse do të ketë të disponueshëm edhe Keidi Baren, i cili ka qenë ndër lojtarët më të aktivizuar që kur ai ka drejtuar. Mesfushori doli pas 15 minutash lojë në Espanjol-Bilbao, ndërsa këtë të shtunë ndaj Sevijës ishte në stol. Mungesë mbetet edhe Odise Roshi që nuk është rikuperuar akoma.