Qeveria të marrë vendim për rritjen e pagave për 18,4 për qind në pajtim me Ligjin, e jo t’i manipulojë punëtorët me rritje të pagave prej 2, 3, 5, 10, 15 për qind pa kurrfarë kritere, reagoi Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM).
“Qeveria në seancë menjëherë të marrë Vendim për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik për 18,4 për qind, në pajtim me harmonizimin e konfirmuar në Ligj dhe të mos bëjë diskriminimin e të punësuarve të saj me rritje paushale për 2, 3, 5, 10, 15 për qind, me çka bëhet tentim për minimin e grevës së përgjithshme, ndërsa shkaktohet revoltë edhe më e madhe te të punësuarit”, njoftoi LSM në kumtesën e sotme deri te mediat.
Sipas LSM-së, Qeveria po udhëheq politikë të gabuar, duke menduar se krijon politika, me të cilat po ballafaqohet me krizën, ndërsa të dhënat e tregojnë të kundërtën, se dallimi mes neto pagës mesatare dhe shportës sindikale në vitin 2022 është 7.384 denarë.
“Aq para mungojnë që të mund minimum normalisht të jetojë një familje katëranëtarëshe me pagë mesatare, nëse ka vetëm një të punësuar. Vitin e kaluar ky dallim ka qenë shumë më i vogël – 5.436 denarë, ndërsa në vitin 2020 ka qenë 6.925 denarë, në vitin 2019 – 7.816 denarë, ndërsa nga ana tjetër edhe ndikimi i rritjes së çmimeve dhe rritja e harxhimeve për jetesë, rritja e inflacionit, i cili prej muaji në muaj është gjithnjë e më i madh dhe për muajin qershor ka qenë 14,5 për qind, ndikon ndaj zvogëlimit të vlerës reale të të ardhurave të punëtorëve, po ashtu edhe në fuqinë blerëse të punëtorëve, që sjell deri te varfërimi i popullatës së përgjithshme, që është një nga shkaktarët më të mëdhenj që i dekurajon dhe demotovon punëtorët”, thonë nga LSM.
LSM e përkujton Qeverinë, komunat dhe pronarët në sektorin privat se Kodi penal zbatohet për të gjithë, pa përjashtim, ndërsa parashikon që secili, i cili me vetëdije nuk i përmbahet ligjit, rregullave ose marrëveshjeve kolektive për themelimin ose ndërprerjen e marrëdhënies së punës, për pagën dhe kompensimet e pagës, kohës së punës, pushimit ose mungesave, mbrojtjen e grave, rinisë dhe invalidëve ose ndalesë për punë jashtë orarit ose gjatë natës dhe me këtë shkel ose kufizon të drejtën, që i takon punëtorit, do të dënohet me para ose me burg në kohëzgjatje prej një viti.
“Për këtë shkak, siç thotë Ligji, pagat edhe në sektorin publik, edhe në atë privat duhet të harmonizohen për 18,4 për qind, ndërsa LSM-ja kërkon, lufton dhe është e vendosur deri në fund që punëtorët të marrin paga dinjitoze, të konfirmuara me Ligjet dhe marrëveshjet kolektive, të cilat duhet të zbatohen edhe krahas të gjitha presioneve”, thekson LSM. /klanmaqedoni