Lufta në Ukrainë do të vazhdojë të mbizotërojë sot në agjendën e ditës së dytë të Samitit treditor të liderëve të G-7 në Gjermani, ku në bisedime përmes video lidhjes i bashkohet edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Liderët e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës arritën dje në resortin “Schloss Elmau” në Bavari për të rritur së bashku presionin ndaj Rusisë për të tërhequr trupat e saj nga Ukraina dhe për të zbutur efektet negative të luftës.
Liderët e G-7 e kanë përdorur tashmë Samitin si forum për të shpallur ndalesë ndaj importeve të arit rus dhe nismë të përbashkët infrastrukturore për të kundërshtuar ndikimin kinez në vendet me të ardhura mesatare. Bisedimet po zhvillohen gjithashtu për një kufizim të mundshëm të çmimeve të naftës.
Kryetarja e Komisionit të BE-së Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Sharll Mishell morën gjithashtu pjesë në diskutimet e së dielës.