Rritet numri i të shtruarve në spital si pasojë e virusit Korona. 67 persona me Kovid janë hospitalizuar gjatë 24 orëve të fundit, derisa nëpër repartet infektive të kryeqytetit po trajtohen 463 pacientë. Në Qendrat Kovid trajtohen 619 pacientë ndërkaq si pasojë e numrit të shtuar të personave që kanë nevojë për hospitalizim në Klinikën e Traumatologjisë është hapur Qendra Kovid. Ministria e Shëndetësisë thotë se ka shtretër lirë. Për shkak të rritjes së numrit të të prekurve ditëve të fundit Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse të mërkurën do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar nëse do vendosen masa të reja restriktive. Autoritetet për ALSAT njoftuan se të gjitha opsionet janë të hapura. Ndërsa rriten numrat dhe diskutohen masat Maqedonia e Veriut ende nuk ka vaksina për qytetarët. Kryeministri Zaev ka deklaruar se është i dëshpëruar nga Bashkimi Evropian lidhur me furnizimin me vaksina. Ndërkohë një sërë shtetesh, përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Slloveninë kanë tërhequr përkohësisht nga përdorimi vaksinën “ Astra Zeneca” pasi për të njejtën është raportuar se ka shkaktuar mpiksje të gjakut tek disa persona të cilët janë vaksinuar. OBSH ka thënë se të dhënat në dispozicion nuk flasin për një gjë të tillë, duke rekomanduar të vazhdohet me vaksinimin.