Ekspeditë e suksesshme studimore e studentëve të Universitetit të Tetovës në Republikën e Shqipërisë

Prej 26 – 29 maj 2022, studentët e Programit studimor të Gjeografisë nga Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore i Universitetit të Tetovës, realizuan ekspeditë studimore në Shqipëri, më këtë itinerar: Elbasan-Tiranë-Durrës-Divjakë-Vlorë-Syri i Kaltër-Delvinë-Sarandë-Butrint-Ksamil-Gjirokastër.

Gjatë kësaj ekspedite, studentët në ditën e parë e vizituan qytetin dhe kalanë e Elbasanit, si dhe Departamentin Histori-Gjeografi në UE, Universitetin e Tiranës, FHF- Departamentin e Gjeografisë, sheshin Skënderbe, Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, vazhduan rrugëtimin për në qytetin e Durrësit, eksplorimin e vijës bregdetare përgjatë detit Adriatik, qytetin Antik dhe gjirin e Durrësit.

Në ditën e dytë, vizita vazhdoi përgjatë vijës bregdetare, ku vizituan zonën e mbrojtur Lagunën e Karavastasë dhe Divjakën, më tej u njohën nga afër me traditat dhe veshjet kombëtare të Shqipërisë së Mesme, mandej vazhduan për në qytetin e Vlorës, ku e vizituan Sheshin e Pavarësisë, Muzeun Kombëtar të Pavarësisë, Portin e Vlorës dhe nga afër u njohën me relievin abraziv në Zonën e Ujit të Ftohtë.

Dita e tretë vijoi me vizitë të Monumentit natyror Syri i Kaltër në Delvinë, rivierën shqiptare të Detit Jon, qytetin turistik të Sarandës, Lagunën dhe Qytetin Antik të Butrintit, si dhe pikën turistike dhe ishujt piktoreskë të Ksamilit.

Gjatë kthimit, në ditën e katërt e vizituan qytetin dhe kalanë e Gjirokastrës dhe vazhduan kthimin për në Tetovë.
Në këtë ekspeditë, studentët u shoqëruan nga profesorët e tyre, shefi i departamentit të Gjeografisë, Prof. Dr. Resul Hamiti, Prof. Dr. Meribe Mustafi, Ass. Mr. Mireme Rushiti dhe Ass. Niagara Xhemaili.
Profesorët u shprehën mjaft të kënaqur me interesimin e treguar të studentëve në këtë ekspeditë, duke konkluduar se qëllimi parësor i kësaj vizite studimore është realizuar me sukses dhe se janë përmbushur të gjitha objektivat që parashihen në planprogramin e Gjeografisë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *