Ambasada e SHBA-ve në vendin tonë i prezantoi në UT programet e shkëmbimit për studentët dhe stafin akademik

Sot, në Universitetin e Tetovës përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e realizuan prezantimin e programit Fulbright Scholar. Përfaqësuesi i kësaj ambasade, Gazmend Ilazi, para studentëve dhe stafit akademik të Universitetit tonë theksoi se ky program është një mundësi e mirë për çdo student dhe profesor që ka dëshirë të merr pjesë në studime të ndryshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat realizohen në kuadër të programit Fulbright Scholar.

“Sot do të bëjmë prezantimin e programeve, gjegjësisht bursave që ofron ambasada amerikane në vendin tonë, për shkak se për momentin janë tre aplikime të hapura për Fulbright Student, për studentët të cilët dëshirojnë të regjistrojnë studimet pasuniversitare, kuadër profesional, d.m.th profesorë, të cilët do të kishin dashur të bëjnë hulumtime postdoktorale dhe gjithashtu programi Humphrey që mundëson përgatitje profesionale të kuadrove të ndryshëm duke inkuadruar edhe juve si gazetarë. Këto janë tre programe të ndryshme, por ne do të flasim edhe për programe të tjera, për t’i inkurajuar të rinjtë, studentët në Universitetin e Tetovës, që të aplikojnë për këto mundësi. Prezantimin e bëjmë për shkak se ndërrojnë gjeneratat, secilin vit disa prej tyre diplomojnë dhe kanë mundësi për të aplikuar. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, për arsye se bursat të cilat i ofron ambasada e Amerikës i mbulon të gjitha shpenzimet nga viza deri në biletën kthyese, pra studenti nuk e prek xhepin e vet fare në lidhje me studimet. Paramendoni të shkoni të bëni studime pasdiplomike në një nga universitetet më të mira në SHBA, ku të gjitha shpenzimet janë të mbuluara, me studime, me blerjen e librave, me pjesëmarrjen nëpër konferenca e kështu me radhë. Kjo është një mundësi e mirë edhe për studentët që i kanë regjistruar studimet pasdiplomike, studimet e masterit në vendin tonë apo diku tjetër, ose studentët të cilët i kanë regjistruar studimet e doktoraturës ne vendin tonë apo diku tjetër dhe dëshirojnë të bëjnë hulumtime mbi temën e magjistraturës së tyre ose temën e disertacionit të doktoraturës së tyre , d.m.th të gjithë këto kategori mund të aplikojnë për programin Fulbright Student ose Fulbright Scholar, ose mundësi të tjera për të cilat ne sot do të flasim”, u shpreh përfaqësuesi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Gazmend Ilazi.

Koordinatori i Këndit Amerikan, Gëzim Sulejmani tha se sot jemi këtu së bashku me përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane për të vizituar Universitetin e Tetovës, që të takohemi me studentët, stafin akademik, për t’i informuar me të gjithë agjendën vjetore që e kemi, programet e Këndit Amerikan që kanë të bëjnë me programin e Internshipit, që është punë praktike për studentët si dhe shkollat verore që synojmë t’i bëjmë gjatë verës. “Pas dy viteve pauzë jemi rikthyer me programet aktive që i realizojmë në Këndin Amerikan me grupmosha të ndryshme. Kemi edhe disa amerikanë që janë rikthyer te ne dhe vazhdojmë me zhvillimin e aftësive individuale te studentët që kanë të bëjnë me lidershipinin, sipërmarrësinë dhe zhvillimin e ekonomisë.
Gjithashtu e promovojmë edhe shërbimin që kemi në Qendrën e këshillimit për shërbime falas në Amerikë, që i përgatisim studentët, që vetë të jenë të aftë të marrin bursa, specializime dhe programe të tjera shkëmbimi në Amerikë. Gjithashtu do të flasim për Qendrën e testimit, që e kemi për Toefl, e cila është qendër e testimit e akredituar në të gjithë botën për testimin e gjuhës angleze dhe është një mundësi e mirë që të bashkëpunojmë edhe me studentët dhe stafin akademik”, u shpreh Koordinatori i Këndit Amerikan, Gëzim Sulejmani.
Kushti i vetëm është njohja e gjuhës angleze dhe përzgjedhja e kandidatëve bëhet në mënyrë transparente. Mundësitë janë reale dhe çdo profesor apo student që i plotëson kushtet dhe kërkesat e paracaktuara, mund të jetë fitues i këtyre bursave.
Të gjithë të interesuarit, të cilët dëshirojnë të aplikojnë në këto programe, mund të aplikojnë në :www.foreign.fulbrightonline.org, www.worldlearning.org dhe mk.usembassy.gov

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *