Para maturantëve të kësaj shkolle, pedagogët e UT-së i prezantuan programet studimore të Universitetit dhe e përcollën mesazhin e Rektorit, Prof. Dr. Reshat Qahili:
Universiteti i Tetovës, si një institucion i konsoliduar arsimor, veprimtarinë e tij e zhvillon në tre cikle të studimeve: studimet deridiplomike, studimet e magjistraturës dhe ato të doktoraturës. Si drejtues të universitetit, jemi angazhuar pareshtur për përmirësimin e infrastrukturës, për reformimin e përgjithshëm, për rritjen e cilësisë së shërbimeve akademike, për përsosjen e nivelit të mësimdhënies e të kërkimeve shkencore dhe për komunikimin e drejtpërdrejtë e të frytshëm me studentët dhe kuadrin e mësimdhënësve. Si rezultat i këtij angazhimi, kemi arritur t’i përmbushim objektivat dhe synimet tona për afrimin e studentëve të rinj, përkatësisht në rritjen e numrit të atyre që regjistrohen në programet studimore që ne ofrojmë në të gjitha fakultetet.
Ne kujdesemi në vazhdimësi që t’u ofrojmë studentëve lehtësime në disa kategori pagesash të obligueshme për studime, gjithnjë duke pasur si prioritet studentët ekselentë, për të cilët ndajmë bursa studentore për çdo vit akademik. Nga themelimi e deri më sot, për të gjithë hapat e bërë dhe për të gjitha zhvillimet që ka përjetuar, Universiteti i Tetovës, për aleat më të mirë ka pasur kombin tonë. Kjo e motivon kujdesin për kultivimin e pandërprerë dhe ruajtjen e marrëdhënieve tona të natyrshme, që mbeten në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë, në çdo rrethanë. Krahas bashkëpunimit brendashqiptar, ne e kemi forcuar edhe bashkëpunimin institucional me universitetet publike dhe private nga vendi, nga Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, por dhe me universitete prestigjioze nga rajoni dhe bota, me të cilët kemi nënshkruar marrëveshje të posaçme bashkëpunimi për punë të përbashkëta që lidhen me procesin mësimor-shkencor. Për këto dhe për shumë gjëra të tjera, të cilat nuk i përmendëm për shkaqe objektive, Universiteti i Tetovës sot konsiderohet vatër dhe alternativë serioze e arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që garanton studime cilësore dhe të pranuara edhe jashtë vendit, të cilat mund t’i ndjekin të gjithë ata që duan të studiojnë në këtë institucion sipas standardeve të kërkuara nga Sistemi Evropian i Transferit të Kredive dhe tregu global i punës. Universiteti ynë, tashmë hapëron drejt dekadës së tretë, me vendosmërinë, vizionin dhe frymën e rilindësve, pishtarëve të arsimit dhe iluministëve të kombit tonë.
Ndaj, për të gjithë ju që do të regjistroheni në ndonjërin nga fakultetet dhe programet studimore që ofron Universiteti ynë, zotohemi se do të punojmë me përkushtim për t’ju përgatitur e aftësuar profesionalisht dhe për t’ju bërë të aftë për konkurrim dinjitoz në tregun vendor dhe ndërkombëtar të punës.
Ju mirëpresim!