Ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri merr pjesë në Samitin ndërkombëtar për profesionin e mësimdhënies që po zhvillohet nga data 11 deri më 13 maj në Valencia, nën organizimin e Ministrisë për arsim dhe trajnim të përgjithshëm dhe profesional së Spanjës, në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik – OECD dhe Education International – organizata më e madhe globale e përbërë nga sindikatat e mësuesve në mbarë botën.
Këtë vit, samiti i cili i bashkon ministrat e arsimit dhe drejtuesit e sindikatave nga vendet që kanë zhvilluar sisteme arsimore me performancë të lartë ose që po bëjnë përparim të shpejtë në përputhje me rezultatet e PISA-s, fokusohet në aktivitetet e ardhshme që duhet të ndërmarrin qeveritë dhe sindikatat e arsimit bashkë, pas pandemisë së Covid-19. për të reduktuar pasojat për sa i përket njohurive dhe zhvillimit të të rinjve.
Janë planifikuar panele diskutimi kushtuar aplikimit të teknologjive dhe mjeteve digjitale në shkolla, rëndësia e të cilave u vërtetua veçanërisht në periudhën e kaluar kur për shkak të përhapjes së sëmundjes mësimi organizohej online. Në samit do të diskutohet gjithashtu për potencialin e sistemeve arsimore për të kontribuar në ndërtimin e komuniteteve dhe shoqërive më gjithëpërfshirëse, duke pasur parasysh se në dy vitet e fundit kanë qenë shkollat ato që kanë bashkuar nxënësit, prindërit dhe mësuesit për të punuar së bashku për të gjetur dhe aplikuar forma të reja të të mësuarit që nuk do ta rrezikojnë shëndetin publik. Poashtu, panelistët do të diskutojnë rolin e mësuesve dhe komuniteteve shkollore në sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme.
Shkëmbimi i përvojave ndërmjet pjesëmarrësve të samitit do t’i ndihmojë shtetet të përcaktojnë politikat e ardhshme për përmirësimin e cilësisë së sistemeve arsimore kombëtare dhe për t’iu përshtatur kohëve të reja të pasigurisë dhe sfidave. Ministrat e arsimit, drejtuesit e sindikatave dhe pjesëmarrës të tjerë në samit, të udhëhequr nga ministrja spanjolle e arsimit, Pilar Alegria Kontinente, do të vizitojnë 6 shkolla fillore dhe të mesme në fusha të ndryshme, për t’u njohur nga afër me karakteristikat e sistemit arsimor spanjoll.
Ky është edicioni i dymbëdhjetë i Samitit ndërkombëtar për profesionin e mësimdhënies, i cili organizohet rregullisht që nga viti 2011