Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u përurua monografia e Universitetit të Tetovës

Universiteti i Tetovës, më 22 prill 2022 mori pjesë në punimet e panairit mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, i cili u mbajt në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Në këtë panair, ku ishin të pranishëm institucione shkencore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Skënder Gjinushi tha se ky panair jep mundësinë për të parë se cili është produkti shkencor i shqiptarëve, cili është raporti midis nënsistemeve të veprimtarisë shkencore, si qëndrojnë raportet midis brezave të studiuesve, në cilat disiplina ka më shumë progres e ku ka prapambetje, a ka një ekonomizim të dijes në kushtet kur kufijtë ndërshtetërorë nuk na ndajnë më, apo ka përsëritje e paralelizma, parcializëm dhe fragmentarizëm të saj, me qëllim që të përforcojmë çfarë kemi më të mirë e të ndryshojmë prirjet jopozitive.

“Ky është një panair me fushë interesimi të përcaktuar qartë: botimet më të fundme shkencore në gjithë hapësirën shqiptare. Janë 33 subjekte akademike-universitare dhe subjekte private që i ka bashkuar ky panair, që përfaqëson manifestimin më të madh të deritashëm për këtë fushë të gjerë dhe delikate botimesh. Kemi të pranishëm botime të studiuesve tanë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe nga bota arbëreshe”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Skënder Gjinushi.

Në kuadër të punimeve të këtij panairi, UT i përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Reshat Qahili, Prorektori për Arsim Prof. Dr. Vullnet Ameti, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, e promovoi edhe Monografinë e Universitetit të Tetovës.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Skënder Gjinushi e përgëzoi Universitetin e Tetovës për Monografinë, pasi flet për një periudhë të vështirë që kanë kaluar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe për ecurinë e një institucioni që ka qenë paraprijës dhe ka luajtur rol parësor në forcimin e identitetit shqiptar, të gjuhës, të formimit të kuadrove të reja, dhe gjithë këtë luftë që e bëjnë shqiptarët e Maqedonisë për të drejtat dhe identitetin e tyre nuk e bëjnë për t’u ndarë por për t’u integruar në Evropë si të barabartë. “Formimi universitar është ai që i bën brezat e rinj që të konkurrojnë njëjtë me çdo evropian kudo që janë dhe të konkurrojnë sipas aftësisë e jo sipas etnisë. Ky është misioni, të cilin ju e keni kryer me shumë sukses dhe mbështetja nga Shqipëria ka qenë, por duhet të jetë edhe më e madhe dhe ne si Akademi e Shkencave mirëpresim një bashkëpunim në këtë drejtim”, theksoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akad. Skënder Gjinushi.

Ndërkaq, Kryetari i Senatit i Universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se përgatitja e Monografisë ka kërkuar shumë mund dhe përkushtim, kërkime të shumta, mbledhje të materialeve e dokumenteve, punë në terren, verifikim të të dhënave, sistemim dhe redaktim të teksteve. “Duke e përgatitur Monografinë kemi rikujtuar gjithë punën e palodhshme që është bërë për Universitetin e Tetovës gjatë këtij harku kohor. Një punë e cila meriton të kujtohet e të respektohet, sepse ky është një rrugëtim nëpërmjet vështirësive dhe sakrificave të shumta. Duke e përgatitur monografinë kemi synuar që ta ngjallim ndjenjën e domosdoshme se projektet e mëdha duan përbashkim e bashkëpunim ndërmjet studiuesve, me qëllim që një vepër të dalë sa më e përsosur. Universiteti i Tetovës për shkak të historisë së vet specifike ngjall një ndjeshmëri të veçantë në shpirtin e mendjen e shqiptarëve. Prandaj, ata nuk janë indiferentë ndaj kësaj vatre të dijes. Kjo vëmendje e vazhdueshme qytetare dhe kombëtare i bën mirë Universitetit të Tetovës. Kjo vëmendje është engjëlli mbrojtës i këtij universiteti që lartësohet dhe do të lartësohet në vazhdimësi”, u shpreh kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Përveç Monografisë, Universiteti i Tetovës në këtë panair i prezantoi edhe titujt e disa botimeve të tjera shkencore si: “Lëvizja Kombëtare Çlirimtare Shqiptare (1830-1912)” nga Vlado Popovski, “Çlirimi i Kosovës” – David L. Philips, “Shqiptarët Ortodoksë në Republikën e Maqedonisë” – Branisllav Sinadinoski, “Fjalor terminologjik i matematikës” – Agim Rushiti, “Qeverisja e korporatave” – Brikend Aziri, “Logopedia” -Buniamin Memedi, “E drejta afariste” – Faton Shabani, “Protetika Stomatologjike Mobile Klinike – Protezat e pjesshme” (botimi i dytë) – Sherif Shaqiri, “Gjuha e urrejtjes gjatë kampanjës së zgjedhjeve parlamentare 2020 në RMV” – Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, “Fillet dhe zhvillimet e postmodernës” – Arsim Rexhepi, “Strukturat Diskrete 2” – Alit Ibraimi dhe “Rexhep Qosja – Filozof, Ideolog dhe Politikan i Çështjes Kombëtare” – Kudusi Lama.

Ky panair ishte një rast i shkëlqyer për të krijuar marrëdhënie të reja midis botuesve dhe lexuesve, si dhe për të gjetur me lehtësi burime e bibliografi të kohëve më të reja për të gjithë ata që janë në formim e sipër.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *