Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Ndërsa lufta e Rusisë në Ukrainë është futur në muajin e saj të dytë, një shqetësim ka lindur në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Imazhet nga Ukraina, kanë ringjallur kujtimet e tmerreve që përjetoi rajoni në vitet 1990, sidomos në Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë.
Duke pasur parasysh lidhjet e forta ekonomike, ushtarake, dhe ato të fuqisë së butë ruse, lufta aktuale ka ngritur shqetësime se Moska mund të përpiqet të destabilizojë rajonin e Ballkanit, për ta shmangur vëmendjen nga fushata e saj ushtarake katastrofike në Ukrainë. E etiketuar shpesh si “hallka më e dobët” e Europës, Ballkani mund të shndërrohet në një burim të ri trazirash në një kontinent që tashmë është në kaos, raporton abcnews.al.
Nën këtë sfond, Europa dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë duarkryq. Lufta në Ukrainë, ka ngritur pyetjet mbi të ardhmen e integrimit euroatlantik të rajonit. Edhe pse i rrethuar nga shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, rajoni mbetet vetëm pjesërisht i integruar në strukturat euro-atlantike politike dhe ato të sigurisë.
Ndërsa vendeve në Ballkan u kërkohet të marrin anë dhe të kontribuojnë në presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Rusisë, Europa dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta dyfishojnë angazhimin e tyre ushtarak, politik dhe ekonomik në rajon.
Rajoni rrezikohet nga ndikimi rus
Ndikimi aktual i Rusisë në Ballkanin Perëndimor mbetet i fortë. Investimi ekonomik i Rusisë në rajon, është i fokusuar në sektorë strategjikë si energjia, teksa Moska ka shfrytëzuar sistemet e patronazhit partiak dhe korrupsionit.
Gjatë viteve të fundit, Rusia i ka forcuar lidhjet e saj ushtarake me Serbinë, duke i shitur armë, avionë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Por është besimi ortodoks i rusëve, dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj pavarësisë së Kosovës, ai që hedhur themelet për fuqinë e saj të butë në rajon.
Kjo qasje i ka hapur rrugën depërtimit të fuqishëm të ndikimit rus në Serbi, Bosnjë dhe në Malin e Zi, ku segmente të rëndësishme të politikës janë shumë pro-ruse. Për udhëheqës si Aleksandar Vuçiç në Serbi dhe Milorad Dodik në Bosnje, lidhjet e ngushta me udhëheqjen ruse janë një çështje e mbijetesës politike.
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, në Serbi, Malin e Zi dhe Bosnje janë organizuar tubime pro-ruse nga grupimet e ekstremit të djathtë që kanë lidhje direkte me Rusinë. Për fraksionet nacionaliste në mbarë rajonin, që e shohin Rusinë e Putinit si një mbrojtëse të ortodoksëve, pushtimi nga Rusia i një vendi ortodoks si Ukraina nuk është një kontradiktë shumë e madhe.
Të ndarë nga konteksti historik, këto grupe i japin të drejtë Rusisë që kërkon të marrë në kontroll një territor që më të drejtë i përket rusëve, ashtu siç do të dëshironin ta shihnin Kosovën sërish nën kontrollin e Serbisë.
Vetë Putin e ka përmendur shpesh shembullin e Kosovës si një justifikim për aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe të sulmeve të saj në Donetsk dhe Luhansk. Ashtu si Ukrainën, Rusia e sheh Ballkanin Perëndimor si një zonë, ku mund të ruajë një sferë ndikimi dhe të dëmtojë Perëndimin.
Në Malin e Zi, operativët rusë të FSB-së dhe GRU-së ishin në mesin e atyre që u arrestuan për shkak të një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016, që synonte të pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, mbështetja e Rusisë ndaj kësaj të fundit i minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Kjo gjë e pengon edhe integrimin e të dyjave në Bashkimin Europian. Ndërkohë kërcënimet e fundit të Rusisë për të vendosur veton ndaj ripërtëritjes të mandatit të forcës paqeruajtëse të BE-së në Bosnje, e kanë nënvizuar brishtësinë e kushtetutës së pasluftës në këtë vend.
Në të gjitha këto raste, Rusia ka treguar se mund të destabilizojë shumë lehtë Ballkanin.
Reagimet ndaj luftës në Ukrainë
Pushtimi rus i Ukrainës i ka thelluar ndarjet midis zërave pro-perëndimorë dhe pro-rusë në të gjithë rajonin.
Anëtarët e NATO-s, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbështetën sanksionet e BE-së, ashtu siç bëri edhe Kosova që aspiron të bëhet pjesë e NATO-s.
Ndonëse mbështesin rezolutat e OKB-së që dënojnë veprimet e Rusisë, Serbia dhe Bosnja kanë refuzuar t’i bashkohen sanksioneve kundër Rusisë, duke u bërë kështu dy vendet e vetme europiane që mbeten jashtë listës së shteteve “armiqësore” të Rusisë.
Bosja është e frikësuar se lufta në Ukrainë mund të sjellë destabilitet në Ballkan. Pamundësia për të pasur një pozicion të përbashkët në dënimin e sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, vjen për shkak të sjelljes pro-ruse të Dodik, anëtarit serb të presidencës trepalëshe të vendit.
Bosnja ndodhet muajt e fundit në krizën e saj më të rëndë të pasluftës, pikërisht për shkak të kërcënimeve të Dodik për tërheqjen nga institucionet federale të entitetit me shumicë serbe.
Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, ambasadori rus në Bosnje thelloi edhe më shumë këto frikëra duke paralajmëruar se çdo afrimitet midis Bosnjës dhe NATO-s, do të sillte një reagim të Moskës, duke thënë: “Shembulli i Ukrainës, tregon atë që pritet të ndodhë!”.
Në Kosovë, ku ndjenjat e qytetarëve janë shumë pro-perëndimore dhe anti-ruse, kriza në Ukrainë ka rritur shqetësimet për sigurinë.
Udhëheqësit e qeverisë, kanë kërkuar një rrugë më të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO dhe një bazë të përhershme në NATO.
Edhe pse Mali i Zi iu bashkua me shpejtësi sanksioneve kundër Rusisë, ai nuk i ka zbatuar ende shumicën e tyre për shkak të grindjeve politike të brendshme. Qeveria pro-serbe e vendit, e cila u rrëzua pas një mocioni mosbesimi në muajin shkurt, por që mbetet ende në një rol kujdestar, është shumë e përçarë për sa i përket sanksioneve.
Dhe kjo ndarje zbulon edhe shkallën e ekspozimit ekonomik të vendit: Rusia është investitorja më e madhe e huaj në Malin e Zi, duke investuar shumë në tregun e saj të pasurive të paluajtshme dhe në sektorë si metalurgjia.
Por nëse negociatat do te kenë sukses, një qeverie e re e udhëhequr nga pakica që do të formohet nga kryeministri i emëruar Dritan Abazovic i bllokut pro-perëndimor Bardh e Zi, mund të zbehë zërat pro-rusë që janë aktualisht në qeveri.
Vëmendja e Perëndimit është e përqendruar kryesisht në Serbi, ku lufta në Ukrainë përbën një sfidë shtesë për qeverinë, teksa ajo po përpiqej të luante një rol balancues midis Rusisë dhe Perëndimit përpara zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale të 3 prillit.
Në kushtet kur popullata i mban mend mirë kostot e sanksioneve perëndimore, presidenti Vuçiç është përpjekur ta portretizojë veten si kandidati më i aftë për të mbrojtur stabilitetin e Serbisë. I vetëdijshëm për një ndjenjë të fortë pro-ruse në vend, dhe për një kontroll të shtuar të BE-së dhe SHBA-së, Vuçiç ka qenë i bindur për rolin neutral të Serbisë në këtë krizë
Serbia votoi pro dënimit të pushtimit rus të Ukrainës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, por refuzoi të bashkohej me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Pritet që fitorja të ndryshojë këtë ekuilibër, por nuk është e garantuar se Vuçiç do të anojë nga Perëndimi, sidomos tani që qeveria do të nisë negociatat për koalicionin e ri qeverisës.
Ka ardhur koha që Europa dhe Shtetet e Bashkuara të marrin masa të menjëhershme
Në këtë kontekst, Europa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të shmangur destabilizimin e mëtejshëm në Ballkan. Në varësi të reagimit perëndimor, rajonin e presin dy të ardhme shumë të ndryshme: ose një destabilitet në rritje, të cilën mund ta shfrytëzojë Rusia, ose një integrim afatgjatë brenda komunitetit europian.
Pas vitesh në një ngërç, lufta brutale në Ukrainë po i detyron të gjithë aktorët të zgjedhin një rrugë të qartë politike, si dhe të marrin vendime të guximshme. Muajt e ardhshëm do të ofrojnë mundësinë për të diskutuar mbi të ardhmen e rajonit, duke filluar me një samit europian kushtuar Ballkanit Perëndimor në qershor, organizuar nga Franca.
Ndërkohë, është e nevojshme që Bashkimi Europian dhe NATO të rrisin mbështetjen e tyre për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e sundimit të ligjit dhe kundërshtimin e ndikimit dashakeq të Rusisë.
Nga ana tjetër, udhëheqësit rajonalë duhet të bëjnë një bilanc të së ardhmes që duan të ndërtojnë për vendet e tyre. Në nivelin politik, është e domosdoshme që Europa t’i përgjigjet thirrjeve në të gjithë rajonin për të përshpejtuar integrimin në BE.
Të njohur për hezitimin e tyre, Parisi dhe Berlini kanë dërguar tashmë sinjale të forta për këtë çështje, me kancelarin Olaf Scholz që i bëri thirrje Bashkimit Europian të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjen e tyre për t’u bashkuar me bllokun “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Një proces i ringjallur i anëtarësimit, do të nxiste përparimin në reformat shumë të nevojshme të qeverisjes dhe sundimit të ligjit në këto vende. Mund të shërbejë gjithashtu si levë për ta shtyrë Serbinë që të fillojë të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Europian, veçanërisht në lidhje me sanksionet kundër Moskës.
Kjo ringjallje e re politike mund të kontribuojë gjithashtu në një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila ka bërë që Sofja të bllokojë procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Në Bosnje, Bashkimi Europian ka dyfishuar tashmë madhësinë e forcave të tij stabilizuese (e njohur si EUFOR ALTHEA) nga 600 personel në 1100, ndërsa avionët francezë kanë kryer fluturime si masë paraprake.
NATO gjithashtu ka vendosur kohët e fundit të miratojë një “paketë të re të mbrojtjes” për Bosnjën. E ardhmja e BE-së është gjithsesi në rrezik pasi Rusia mund të bllokojë zgjatjen e mandatit të saj në Kombet e Bashkuara vitin e ardhshëm.
Kjo perspektivë duhet të inkurajojë europianët të eksplorojnë mënyra të tjera ligjore për të mbështetur misionin. Po kështu, Bashkimi Europian ka vendosur të vendosë forca shtesë në Kosovë për të mbështetur policinë lokale si dhe trupat e NATO-s.
Bashkimi Europian dhe NATO duhet gjithashtu të rrisin mbështetjen e tyre për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të mbështesin sundimin e ligjit dhe të kundërshtojnë ndikimin malinj rus dhe fushatat e dezinformimit.
Në Bosnje, veprimi i përfaqësuesit të lartë të OKB-së për të pezulluar legjislacionin mbi pronën shtetërore të miratuar nga Republika Srpska ishte gjithashtu një shenjë e vëmendjes perëndimore ndaj përpjekjeve të Dodik për të shkelur kushtetutën e vendit.
Kështu ishin edhe veprimet e Shteteve të Bashkuara për të sanksionuar shtatë individë nga rajoni që mendohet se përbëjnë një kërcënim për stabilitetin rajonal. Përveç mbështetjes së tij për mediat e pavarura dhe hulumtuese në të gjithë rajonin, Bashkimi Europian mund të ndihmojë në koordinimin dhe përforcimin e përpjekjeve të tilla për edukimin mbi median dhe informimin nga qeveritë lokale dhe organizatat e shoqërisë civile në të gjithë rajonin.
Për të nxitur pluralizëm më të madh të medias, si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe aleatët europianë mund të ndihmojnë në miratimin e reformave që synojnë transparencën e mediave dhe kufizimin e ndikimit politik në tregjet mediatike.
Së fundmi, në fushën ekonomike, Europa dhe Shtetet e Bashkuara duhet të forcojnë ndihmën e tyre për rajonin për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të zbusin efektet e shumta për shkak të luftës në Ukrainë, nga çmimet më të larta të energjisë deri te pasiguria ushqimore.
Në frontin e energjisë, vendet e BE-së tashmë kanë rënë dakord të lejojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të marrin pjesë në blerjet e përbashkëta të gazit për të kontrolluar kostot e energjisë. Veprime të ngjashme duhet të ndërmerren gjithashtu për të trajtuar një krizë globale të ushqimit, e cila është shumë afër.
Në planin afatgjatë, Bashkimi Europian duhet të përshpejtojë zbatimin e planit të tij të investimeve prej 30 miliardë eurosh.
Investimet duhet të fokusohen veçanërisht në diversifikimin e energjisë dhe infrastrukturën si një mënyrë për të reduktuar varësinë e rajonit ndaj Rusisë dhe Kinës . Për shumë njerëz në Ballkan, imazhet brutale nga Ukraina gjatë disa javëve të fundit, të refugjatëve në stacionet e trenave, ndërtesat e bombarduara, trupat e shtrirë në rrugë kanë ngjallur një spektër të disave që mund të harrohen.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Europa po shqyrtojnë se si mund të duket e ardhmja e kontinentit, ka akoma një mundësi për t’u angazhuar edhe më tej me këtë cep të Europës për të thelluar stabilitetin dhe sigurinë brenda dhe jashtë bllokut.
Udhëheqësit rajonalë duhet gjithashtu të bëjnë një bilanc të së ardhmes që duan të ndërtojnë për vendet e tyre.