Kryetari i Kuvendit anulon mbledhjen e Komisionit të përhershëm anketues në Kuvend.
Në rend dite ishin vendosur pikat për Spitalin Modular të Tetovës, tragjedinë në Bullgari dhe një parashtresë nga një qytetar i punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas kreut të komisionit, Halil Snopçe anulimi i mbledhjes së trupit anketues përbën shkelje për të cilën do të pasojë përgjegjësi.
“Vlerësoj se po ndodhë për herë të parë në historinë tonë parlamentare që kryetari i Parlamentit të anulon mbledhjen e një trupi punues të konvokuar nga kryetari i trupit. Si mund të anulohet mbledhje e cila jo vetëm juridikisht, por edhe faktikisht nuk është e mbajtur? Ku po e gjeni bazën juridike për këtë? Ju z. Xhaferi a mendoni se jeni Gjykatë Kushtetuese dhe si pasojë keni të drejtë të anuloni akte dhe veprime të ndërmarra apo kanë për qëllim të ndërmerren duke u munduar ta ktheni situatën pas?”, tha Halil Snopçe, Kryetar i Komisionit anketues në Kuvend.
Në arsyetimin e tij, kryetari i Kuvendit, thotë se parashtresa e qytetarit Muhaedin Bela drejtuar kreut të komisionit bie ndesh me Rregulloren dhe Kushtetutën.
“Neni 185 i Rregullores së Kuvendit përcakton se Kuvendi mund të shqyrtojë ndër tjerash informata të dorëzuara nga propozues të autorizuar. Kjo do të thotë se të njëjtat duhet të parashtrohen te kryetari i Kuvendit, ndërsa kryetari i dorëzon te deputetët me ç’rast të njëjtat mund të shqyrtohen në mbledhjen e trupave punues kompetent të Kuvendit”, përgjigja ndaj kryetarit të Komisionit të përhershëm anketues.