Universiteti i Tetovës e përmbylli me sukses projektin ndërkombëtar të skijimit të mbështetur nga Erasmus +

Universiteti i Tetovës e përmbylli me sukses projektin ndërkombëtar të skijimit të mbështetur nga Erasmus +

Prej 14 -19 mars 2022, në qendrën turistike dimërore Kodra e Diellit, Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, në rolin e nikoqirit e realizoi me sukses projektin “Skijim dhe aktivitete lojërash për fëmijë” në kuadër të “Programeve intensive të përbashkëta” të mbështetur nga Erasmus +. Në këtë projekt morën pjesë tre shtete: Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Rumania. Në implementimin e tij u angazhuan Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, departamenti i Edukimit Fizik dhe Sportit nga Universiteti i Veliko Tërnovës – Bullgari dhe Fakulteti i Edukimit Fizik nga Universiteti “Alba Lulia” – Rumani.

Projekti u realizua nga profesorët e Universitetit të Tetovës në Fakultetin e Kulturës Fizike, prodekani për shkencë Prof. Dr. Fadil Mamuti dhe Prof. Dr. Agim Rexhepi. Prodekani Prof. Dr. Fadil Mamuti tha se në këtë projekt participuan gjithsej 20 studentë dhe 8 profesorë, të cilët i realizuan me sukses detyrat e tyre. “Programi i projektit të lartpërmendur ishte i planifikuar që të fillonte nga ora 9:00 deri 22:00. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, me sukses u realizuan detyrat e parashikuara, siç janë: të mësuarit dhe përvetësimi i teknikave të skijimit, lojëra në terrenet e skijimit, si dhe lojëra të ndryshme argëtuese, që ishin pjesë e programit të animacionit dhe rekreacionit, e që realizoheshin në hapësirat e hotelit Sllavia në Kodën e Diellit”, deklaroi prodekani Prof. Dr. Fadil Mamuti.

Ndërkaq, Prof. Dr. Agim Rexhepi u shpreh se ky projekt, përveç aspektit profesional dhe aftësimit në lëmin e edukimit fizik, po ashtu rëndësi të madhe ka edhe në socializimin e studentëve. Këtë më së miri e dëshmon prezenca e studentëve që u takojnë kulturave të ndryshme. Në projekt morën pjesë studentë nga Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania, Shqipëria, Franca, Turqia, Hungaria dhe Kina.
Ajo që e bën këtë projekt të rëndësishëm është vazhdimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në mes tre universiteteve të lartpërmendura.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *