Prej sot fillon karvani për vaksinimin anti-kovid që deri më 3 prill do të kalojë nëpër 14 komuna dhe vendbanime: Shuto Orizare, Kratovë, Radovish, Strumicë, Novosellë, Shkup (përballë Ist Gejt Moll), Kumanovë, fshati Matejç në Likovë, Haraçinë, fshati Sandevë në Çucer Sandevë, Zelenikovë, fshati Negotinë në Vrapçisht, Kërçovë dhe Strugë.
Karvani organizohet nga Ministria e Shëndetësisë me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), USAID-it dhe UNICEF-it. Katër orë në ditë (nga ora 11 deri në 15 ose nga ora 12 deri në 16) në sheshe, tregje, shtëpi të kulturës në këto bashkësi lokale, qytetarët do të kenë mundësinë të vaksinohen dhe të informohen për përfitimet e imunizimit kundër KOVID-19. Ata që janë vaksinuar jashtë vendit, do të mund të regjistrohen në lokacionet në sistemin “Termini Im”.
Krahas karvanit për taksnim që do të jetë aktiv në dy javët në vijim, qytetarët kanë mundësinë çdo ditë të vaksinohen në shtëpitë shëndetësore në vend. MSH ka njoftuar se disponojnë me sasi të mjaftueshme dhe theksojnë se janë të sigurta dhe janë mbrojtja më efikase nga sëmundja, zhvillimi i formës së rëndë të sëmundjes, hospitalizimi dhe vdekja.
Në 24 orët e fundit, janë regjistruar 214 raste të reja me Kovid-19 nga 2.133 testet e bëra dhe 93 pacientë të shëruar. Janë evidentuar gjithsej tetë të vdekur, pesë persona në 24 orët e fundit dhe tre përmes sistemit “Termini Im”. Nga numri i përgjithshëm i rasteve pozitive (214), janë regjistruar 33 riinfeksione.