Gjeografia e 807 golave, sot Kristiano kërcënon Atletikon në Ligën e Kampioneve

Kristiano Ronaldo u bë zyrtarisht golashënuesi më i mirë i historisë pas tripletës që shënoi kundër Totenhemit të shtunën në “Old Trafford”. Portugezi kaloi Jozef Biçanin (805 gola) dhe do të kërkojë sot ndaj Atletikos së Madridit ta thellojë rekordin e tij (807 gola) pasi i mungoi goli në Madrid në ndeshjen e vajtjes 3 javë më parë. Autori i 59 tripletave në karrierë, e ka skuadrën e Simeones rivalen e tij të dytë të preferuar.37-vjeçari ka shënuar 692 gola me klubet dhe 115 me Portugalinë, ku ai mban gjithashtu edhe rekordin e golashënuesit më të mirë me kombëtaret. Rekordet e CR7 nisën në sezonin 2002-’03, me 5 golat e tij të parë për Sportingun e Lisbonës. Më pas u transferua te Junajtidi. Vetëm 6 gola në sezonin e parë në “Old Trafford”, plus 2 të parët me kombëtaren luzitane. Shifrat e tij vijnë gjithnjë në progresion, me 16 gola në sezonin 2004-’05 dhe 15 një vit më vonë.

Prej sezonit 2006-’07 ai kishte gjetur ritmin e një makinerie. Gjatë 3 sezoneve në të cilat Junajtidi do të fitonte titullin, Kristiano shënoi 28, 46 dhe 27 gola. Më pas erdhi transferimi në Madrid, ku gjatë 9 viteve u bë shënuesi më i mirë i gjigantëve spanjollë. Portugezi e nisi karrierën në “Bernabeu” me 34 gola në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit 2009-’10. Por ky ishte vetëm fillimi, sepse numrat e tij bëheshin gjithnjë e më të frikshëm. Shënoi 56 gola, 69, 59, 62 dhe 66 në pesë vitet e ardhshme.

Në tri sezonet e fundit ai regjistroi 57, 56 dhe 54 (përfshirë golat me kombëtaren) dhe u largua prej Madridit me shifrën e çmendur të 450 golave në 438 ndeshje. Ai vazhdoi ta gjente rrugën e rrjetës me një konstante të frikshme edhe kur shkoi te Juve. Shënoi 31 gola për klubin dhe Portugalinë në sezonin e parë në Torino dhe 48 dhe 46 në sezonet pasardhëse.Në aventurën e dytë në “Old Trafford” ku firmosi verën e shkuar, ka shënuar 24 gola deri tani, 18 për skuadrën e Rangnikut dhe 6 për Portugalinë. Atletiko është e paralajmëruar. Ylli portugez, i cili për herë të parë me skuadrën e “Colchoneros” u përball në sezonin e parë në “Bernabeu”, në vitin 2010, u ka shënuar atyre 25 gola në 36 ndeshje. Të vetmen skuadër që ka ndëshkuar më shumë është Sevilja (27 gola). Por CR7 ka dhënë 1 asist kundër andaluzianëve, krahasuar me 5 kundër Atletikos. Pasimet për gol e dërgojnë numrin e kontributeve të tij kundër kampionëve të Spanjës në 30 gola, më shumë se çdo skuadër kundër së cilës ai ka luajtur në karrierë.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *