Të martën në mëngjes filloi evakuimi i qytetarëve nga Sumy, një qytet me 260 mijë banorë në veri-lindje të Ukrainës. Autobusët e parë u nisën falë një armëpushimi të përkohshëm që u arrit mes Ukrainës dhe Rusisë, për krijimin e një “korridori sigurie” që ndihmon qytetarët të shkojnë në Poltava, 170 kilometra më në jug të vendit.
Tani për tani, ky korridor po funksionon, por ende nuk merret si i mirëqenë se do të ekzistojë edhe për shumë kohë, pasi ditët e fundit, Rusia ra dakord për të hapur disa “korridore humanitare” në disa qytete të Ukrainës, por më pas filloi të sulmojë mbi qytetarët që u përpoqën të largoheshin nga vendi për shkak të bombardimeve. Dy delegacionet u takuan të hënën për të zhvilluar raundin e tretë të bisedimeve, por ky takim nuk solli në një rezultat pozitiv, siç edhe pritej. Për momentin, zgjidhja diplomatike mbetet shumë larg.
Një ndër kompanitë më të mëdha të naftës Shell, ka deklaruar se do të ndalojë menjëherë të gjitha blerjet e naftës së papërpunuar ruse dhe do të mbyllë stacionet e saj të shërbimit, karburantet e aviacionit dhe operacionet e lubrifikantëve në Rusi. Vendimi i kësaj kompanie vjen pasi disa kompani të mëdha ndërkombëtare janë tërhequr nga Rusia pas pushtimit të saj në Ukrainë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko ka njoftuar se forcat ruse po sulmojnë korridorin humanitar midis qytetit dhe Zaporizhzhia. Ai tha se 8 kamionë dhe 30 autobusë janë rrugës për të dërguar ndihma humanitare në qytet dhe për të evakuuar civilët në Zaporizhzhia. Më herët, kreu i rajonit, Oleksiy Kuleba tha se vazhdon evakuimi i popullsisë së Irpin përmes fshatit Romanivka pa probleme. Ky është evakuimi i parë nga një qytet ukrainas përmes një korridori humanitar të rënë dakord me Rusinë.
Organizata Human Rights Watch (HRW), me bazë në SHBA tha se me sulmin e të dielës në Irpin, Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar gjatë bombardimeve të qytetit. Për disa orë më 6 mars 2022, forcat ruse bombarduan një kryqëzim në një rrugë që qindra civilë po përdornin për të ikur nga pushtimi rus në Ukrainën veriore drejt Kievit. Komentet vijnë pasi tetë civilë u vranë gjatë fundjavës teksa po largoheshin nga avancimi i ushtrisë ruse. Agjencia ka bërë thirrje për të gjitha palët e përfshira të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm për të larguar popullsinë civile nga afërsia e luftimeve ose objekteve ushtarake.
Kreu i rajonit, Oleksiy Kuleba tha se vazhdon evakuimi i popullsisë së Irpin përmes fshatit Romanivka. Ai tha se që nga ora 9:30 (07:30 GMT) më shumë se 150 njerëz ishin evakuuar. “Agresori po pengon evakuimin e popullsisë. Brenda një dite, ata që mundën të mbërrinin në vendin e grumbullimit u nxorrën vetë nga Irpin. Tani rrethi po përgatitet për një evakuim në shkallë të gjerë dhe dërgimin e ndihmave humanitare,” shtoi ai. Irpin është një qytet në perëndim të Kievit, i cili ka pasur luftime të ashpra ditët e fundit nga forcat ushtarake ruse.
Kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, paralajmëroi se konflikti në Ukrainë mund t’i rrisë çmimet globale të ushqimit dhe të ketë ndikim katastrofik për më të varfrit në botë. Ukraina dhe Rusia janë dy eksportuese kryesore të produkteve ushqimore bazë dhe lufta tashmë ka goditur prodhimin. Beasley tha se situata rrezikon të shkaktojë uri në mesin e më shumë njerëzve. Rusia dhe Ukraina eksportojnë rreth një të katërtën e grurit në botë dhe gjysmën e produkteve të lulediellit, si farat dhe vaji.
Komisioni Evropian ka përgatitur një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë dhe Bjellorusisë që do të godasë oligarkë dhe politikanë të tjerë rusë, si dhe tre banka bjelloruse. Reuters ka mësuar se sanksionet, do të ndalojnë tre banka bjelloruse nga sistemi bankar Sëift dhe do të shtojnë më shumë oligarkë dhe politikanë rusë në listën e zezë të BE-së. Po ashtu, Reuters shkruan se do të ndalohen eksportet nga BE-ja të teknologjisë detare në Rusi dhe do të përfshijë udhëzime për monitorimin e kriptomonedhave për të parandaluar përdorimin e tyre dhe për të shmangur sanksionet.