Lufta në Ukrainë është futur në ditën e pestë të saj. Pas orës 6:30 të mëngjesit sirenat kanë nisur të dëgjohen në Kiev, ndërsa shumë nga banorët e qytetit po strehohen nën tokë. Gjatë natës janë dëgjuar më shumë shpërthime në kryeqytetin ukrainas dhe qytete të tjera të vendit.
Mëngjesin e sotëm pritet të zhvillohet takimi mes delegacioneve rus dhe ukrainas në kufirin me Bjellorusinë pasi palët ranë dakord dje për negociata pa parakushte. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky deklaroi gjatë një bisede me kryeministrin britanik Boris Johnson se 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vendin e tij.
07:44 – Presidenti i Brazilit: Ukrainasit zgjodhën t’i besojnë një komediani, do qëndrojmë neutral
Në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e dielë presidenti brazilian Jair Bolsonaro ironizoi situatën në Ukrainë dhe presidentin Volodymyr Zelensky.
Sipas BBC, ai u shpreh se njerëzit e tij i kanë vënë shpresat e tyre në duart e një komediani.
Bolsonaro ka refuzuar të dënojë pushtimin e Rusisë dhe të dielën tha se Brazili do të qëndrojë “neutral” në konflikt, duke shtuar se Brazili dhe Rusia janë “praktikisht kombe vëllezër”.
07:37 – Lufta me Rusinë, Zelensky: Ukrainën e presin 24 orë vendimtare
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se 24 orët e ardhshme do të jenë kritike për Ukrainën, pasi luftimet me forcat ruse janë po shtrihen në të gjithë vendin.
Zelensky i bëri komentet gjatë një bisede telefonike me kryeministrin britanik, Boris Johnson. Johnson lavdëroi udhëheqjen e Zelenskyt derisa vendi i tij po lufton me forcat pushtuese ruse.
“Presidenti Zelensky tha se besonte se 24 orët e ardhshme ishin një periudhë vendimtare për Ukrainën dhe kryeministri tha se do të bënte gjithçka që mundej për të ndihmuar në sigurimin e ndihmës mbrojtëse nga Britania e Madhe dhe aleatët që të arrinin në Ukrainë”.
07:30 – SHBA u bën thirrje qytetarëve amerikanë në Ukrainë të largohen: Merrni parasysh rrugët dhe rrezikun
Ambasada e SHBA në Kiev u ka bërë thirrje qytetarëve të saj në Ukrainë të largohen nga vendi nëse ndihen të sigurt se mund ta bëjnë një gjë të tillë pa rrezikuar jetën e tyre. Ajo thekson se shumë prej rrugëve që mund të ndiqen janë të mbipopulluara dhe të ekspozuara ndaj operacioneve luftarake, ndaj rekomandoi kalimet përmes Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen tani me opsione private, nëse janë të sigurt. Merrni parasysh rrugët dhe rrezikun. Shumë kalime kufitare tokësore polake dhe vendkalime kryesore të Moldavisë krijojnë pritje të gjata. Ne rekomandojmë kalimet kufitare të Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Pritjet mund të jenë orë të tëra”, njoftoi ambasada.