PSG-ja e ka seriozisht për Kilië Mbapenë. Pas paraqitjes brilante kundër Realit në 1/ 8 e finaleve në Ligën e Kampioneve, në Paris po kërkojnë të bindin me çdo kusht sulmuesin francez që të rinovojë kontratën me klubin. Kontrata e Mbapesë me Parisin përfundon në fund të sezonit dhe, sipas të gjitha gjasave, ai do të transferohet në Madrid te Reali.Por fillimisht ai duhet t’i rezistojë tundimit të klubit të tij, Paris SG, që po lëviz çdo gur të mundshëm për ta bindur atë të qëndrojë. Madje sulmuesi i kombëtares franceze është kthyer në një çështje shtetërore në Francë dhe në Katar. Por për të bindur Mbapenë të qëndrojë sigurisht që duhen dhe shumë miliona. Dhe Parisi është gati të bëjë çdo çmenduri. Klubi parisien ka vendosur të tejkalojë shumën që i ka ofruar Reali i Madridit. Nëse në Spanjë Mbape do të përfitojë rreth 40 milionë euro, duke përfshirë dhe përfitimet nga të drejtat e imazhit e shitja e fanellave, klubi i tij është gati t’i japë dhe të paktën dhjetë milionë euro më shumë në sezon, çka do ta bënte atë pa diskutim lojtarin më të paguar në planet.“SHI” MILIONASH – Sipas asaj që ka bërë me dije “El Chiringuito”, për të bindur Mbapenë janë angazhuar dhe pjesëtarë të familjes mbretërore në Emirin e Katarit. Mësohet se të martën, pak para ndeshjes kundër Realit të Madridit, përfaqësues të Emirit të Katarit janë takuar me familjarë të Mbapesë, duke i bërë një ofertë marramendëse, që llogaritet në 45 milionë euro. Por, nga ana tjetër, gazeta britanike “The Independent” ka lëshuar një tjetër bombë, duke theksuar se oferta nga Katari për sulmuesin e PSG-së arrin në shifrën e çmendur të 1 milion sterlinave në javë, ose rreth 60 milionë euro në sezon. Kjo pa diskutim do të ishte paga më e lartë e dhënë për një futbollist dhe që natyrisht ka nisur të trembë jo pak Realin e Madridit.