Ato që nisën si protesta paqësore dhe u përhapën shpejt në Kazakistan, duke u shndërruar në trazira të mëdha menjëherë pas Vitit të Ri, duket se kanë shkaktuar diçka krejt tjetër – një betejë për kontrollin e niveleve të larta të pushtetit në vend.
Protestat masive të ditëve të fundit në dhjetëra qytete për kushtet e këqija socio-ekonomike në një vend të pasur me naftë dhe burime të tjera, po errësohen nga një luftë për pushtet midis administratës së presidentit, Qasym Zhomart Toqaev dhe besnikëve të ish-presidentit të parë të vendit, Nursultan Nazarbaev.
Njoftimi i 8 janarit për arrestimin nën dyshimin për tradhti të ish-kreut të Komitetit për Sigurinë Kombëtare (KNB), Karim Masimov, ishte treguesi më i qartë se ndërkohë që forcat e sigurisë vazhdojnë operacionet e tyre “anti-terroriste” në mbarë vendin, një tjetër betejë po zhvillohet midis zyrtarëve më të fuqishëm të Kazakistanit.
Lëvizjet dhe kundërlëvizjet
Masimov, i cili u lirua nga detyrat e tij si shef i Komitetit për Siguri Kombëtare më 5 janar, është një peshk i madh në detin politik të Kazakistanit, megjithëse ai nuk është përmendur shumë në media në muajt e fundit.
Por, arrestimi i njeriut besnik të ish-presidentit Nazarbaev është një tregues kyç se presidenti aktual Toqaev po përdor dështimin e supozuar të inteligjencës dhe forcave të sigurisë vendase për të dalluar “terroristët e stërvitur nga jashtë” – Toqaev pretendon se ata ishin pas trazirave – me qëllim të pastrimit të Qeverisë nga besnikët e ish-presidentit Nazarbaev.
Nazarbaevit, 81 vjeç, i cili drejtoi Kazakistanin për gati 30 vjet deri në vitin 2019, iu dhanë poste të rëndësishme dhe pas largimit nga pozita e presidentit, pasi ai dhe disa nga anëtarët e familjes së tij vazhdojnë të kenë ndikim të madh në vend. Aq shumë, saqë presidenti Toqaev shpesh përqeshet nga kritikët dhe analistët se i është i varur nga Nazarbaev, i cili shumë prej tyre pretendojnë se ende ka ndikim në vendimmarrje në Kazakistan, pavarësisht largimit nga Presidenca.
Veprimi i Toqaevit pas shpërthimit të protestave masive për të hequr Nazarbaevin nga detyra e tij si kryetar i Këshillit për Siguri Kombëtare të Kazakistanit dhe më pas arrestimi i Masimovit, ishin shenjat e para se ai po “pastronte shtëpinë”.
Masimov ka qenë një njeri shumë i fuqishëm në Qeverinë kazake për më shumë se 20 vjet, duke shërbyer në dy mandate si kryeministër nën liderin autoritar Nazarbaev.
Më herët ai ishte ministër i Transportit dhe Komunikimit, ministër i Ekonomisë dhe Planifikimit të Buxhetit, Sekretar i Shtetit dhe kreu i Administratës Presidenciale të Nazarbaevit përpara se të bëhej shef i Këshillit për Siguri Kombëtare në vitin 2016.
Karriera e tij përpara shërbimit të tij në poste qeveritare është po aq e rëndësishme sepse si specialist i Kinës, Masimov përfaqësoi interesat tregtare të Kazakistanit në Pekin dhe Hong Kong në fillim të viteve të 90-ta dhe supozohej se kishte luajtur një rol në transferimin e parave në bankat e Hong Kongut për ish-presidentin Nazarbaev, i cili konsiderohet si një nga njerëzit më të pasur në Kazakistan.
Fakti që Masimov është i arrestuar dhe i akuzuar për krime të rënda duket se është një shenjë e keqe për Nazarbaevin dhe anëtarët e pasur dhe të fuqishëm të familjes së tij, asnjë prej të cilëve nuk është parë në publik që nga fillimi i protestave.
Në të njëjtën kohë, sekretari për media i ish-presidentit Nazarbaev, Aidos Ukibay shkroi në Twitter më 8 janar se “Elbasy (titull nderi për i Nazarbaevin e që do të thotë “udhëheqës i kombit”) ndodhet në kryeqytetin e Kazakistanit, qytetin e Nur-Sulltanit”.
Ky formulim është domethënës pasi kishte raporte të pakonfirmuara më 7 janar se Nur-Sulltan nuk ishte më emri që zyrtarët kazak po përdornin për kryeqytetin, duke nxitur kështu edhe më shumë thashethemet se Nazarbaev dhe trashëgimia e tij po shkatërroheshin tërësisht nga presidenti aktual Toqaev.
Ishte Toqaev ai që e riemëroi kryeqytetin nga Astana në Nur-Sulltan menjëherë pasi Nazarbaev dha dorëheqjen më 19 mars 2019 dhe ia dorëzoi pushtetin Toqaevit, besnik i tij për një kohë të gjatë.