“Ballkani i hapur” në Tiranë, nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi në disa fusha

Sot në Tiranë u mbajt takimi “Ballkani i hapur” mes liderëve të vendeve iniciatorë – Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev. Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i 5 marrëveshjeve me të cilat nisma në mënyrë zyrtare kalon në fazën e konkretizimit të asaj që është dakorduar mes tre vendeve në suaza të kësaj nisme. Më të rëndësishëm janë dy marrëveshjet që janë nënshkruar, prej të cilave në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë interes qytetarët e tre vendet, ndërsa kanë të bëjnë me qasjen e lirë të tregut të punës dhe sistemit të identifikimit elektronik të qytetarëve me çka mundësohet qasje e lirë deri te shërbimet.

Në fjalimin hyrës në fillim të takimit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi rëndësinë e kësaj nisme për vendet e rajonit, ndërsa në të njëjtën kohë i thirri edhe tre vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë të marrin pjesë në këtë nismë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga ana tjetër tha se qëllimi i kësaj nisme është lidhja e njerëzve, duke theksuar se e njëjta është gjithëpërfshirëse dhe nga e cila më së shumti qytetarët do të kenë interes.

Kryeministri në largim i RMV, Zoran Zaev, dërgoi porosi deri te gjithë liderët e ardhshëm se kjo nismë duhet të ruhet si një udhërrëfyes drejt të ardhmes së përbashkët.

Në takim përmes video lidhjes mori pjesë edhe komisari për zgjerim i BE, Oliver Varhelji, i cili dërgoi dy porosi të fuqishme. Ai qartë theksoi se kjo nismë është e mbështetur nga BE dhe se është në përputhje me Procesin e Berlinit dhe gjithashtu dërgoi thirrje deri te tre vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë të marrin pjesë në këtë nismë.

Pas përfundimit të takimit, tre liderët mbajtën konferencë për media ku qartë theksuan se nisma “Open Ballkan” nuk është alternativë për anëtarësimin në BE, por shërben për përshpejtimin e procesit të integrimit përmes përforcimit të ekonomisë dhe reformave në institucione.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është finalizim i një pune të përbashkët dhe intensive të institucioneve të tre shteteve.

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *