Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani përshëndeti suksesin e Presidencës sllovene në sigurimin e konsensusit për Raportet e Komisionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për konkluzionet e Bashkimit Evropian për rajonin, përcjell TV21. Osmani theksoi se pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballet vendi, Bashkimi Evropian mbetet i pranishëm dhe i përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Gjithsesi ky sukses i pjesshëm i Presidencës sllovene, të paktën këtu tek ne, hyri nën hijen e thellë të mos-suksesit të Unionit që të sigurojë konsensus në operacionalizimin e vendimit të tij nga marsi i vitit të kaluar për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Jemi të vetëdijshëm se vendimet e Këshillit të BE-së merren me konsensus, por gjithnjë e më pak qytetarët e vendeve tona kanë mirëkuptim për atë se në çfarë mënyre dhe me çfarë argumentesh përdoret ky privilegj nga disa shtete anëtare. Është e pamohueshme që besimi në procesin e zgjerimit është në nivelin më të ulët, gjë që e rrezikon besueshmërinë e gjithë Unionit dhe krijon kriza të reja në gjithë rajonin. Por detyrimi ynë nuk është që me zhgënjimet t’i shohim mos-sukseset, por të vazhdojmë ballafaqimin me sfidat dhe të ofrojmë zgjidhje. Ne mbetemi të përkushtuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, që paraqet interesin tonë strategjik dhe mund t’ju siguroj se vazhdojmë të punojmë me fqinjët tanë me ritme të pandërprera. Kemi shkuar shumë larg në këtë proces, për të hequr dorë, por sinqerisht shpresoj që me garniturën e re politike fillojmë një proces të ri vizionar të besimit mes dy vendeve”, theksoi Osmani.