Pas tri ditë aktivitetesh të shumta, sonte me ndezjen e flakadanëve në Prekaz ka përfunduar manifestimi Epopeja e lavdishme e UÇK-së, në 23-vjetorin e rënies heroike të komandantit të saj legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij.
Shënimi i kësaj date të madhe në historinë e kombit shqiptar është mbajtur me një sërë aktivitetesh kulturore-sportive dhe homazhe në nderim të atyre që ranë për të mos vdekur kurrë.
Qytetarë nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe trojet tjera shqiptare, për tri ditë radhazi kanë ardhur në Prekaz, për të nderuar dhe kujtuar jetën dhe veprën e komandant Adem Jashari dhe familjes së tij në betejën e lavdishme të 5, 6 e 7 marsit 1998.
Astrit Beka, qytetar i cili kishte ardhur në Prekaz për natën e zjarreve, tha se falë Adem Jasharit dhe UÇK-së populli shqiptar gëzon lirinë sot.
“Kjo është shumë me rëndësi se gjatë luftimeve këtu ka ardhur lajmi se ne kërkojmë liri. Këtë e ka bërë Adem Jashari. Ka dhënë shumë për Kosovën dhe falë tyre dhe ushtarëve të UÇK-së jemi ku jemi sot”, tha ai.
Genc Sabibaj, ish-ushtar i UÇK-së nga Mitrovica, tha se sakrifica e Jasharëve ka motivuar njerëzit për liri, ku sakrifica e tyre po nderohet prej të gjithë shqiptarëve.
“Ka rëndësi për gjithë popullin shqiptar, për sakrificën që kanë bërë për vendin, dhe të gjithë këta qytetarë tregojnë se sakrifica e tyre po nderohet, dhe mendoj që do të nderohet sa të ketë shqiptarë në këtë tokë. Edhe unë jam pjesë e UÇK-së, kam qenë në Prekaz ushtar, sigurisht ka ndikuar njerëzit janë mbështetur dhe janë motivuar prej sakrificës së Jasharëve, dhe sot e gëzojmë lirinë”, tha ai.
Selë Murmullaku, e cila kishte ardhur me familjen e saj për nder të natës së zjarreve, tha se kishte ardhur për të nderuar familjen Jashari.