Gjermania raportoi sot më shumë se 37 mijë raste të reja me COVID-19, duke shënuar numrin më të lartë ditor që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit të kaluar.
Instituti Robert Koch konfirmoi 37.120 raste të reja me COVID-19 në 24 orët e fundit, nga 33.949 raste të enjten. Instituti gjithashtu raportoi 154 vdekje të lidhura me koronavirusin.
Norma javore e incidencës në vend është ngjitur në 169.9 raste për 100 mijë banorë, nga 139.2 një javë më parë, tregojnë të dhënat zyrtare.
Instituti tha se numri i infeksioneve mund të rritet në javët e ardhshme, pasi njerëzit kalojnë më shumë kohë në ambiente të mbyllura gjatë muajve të ftohtë të dimrit ndërkohë që një numër i madh i qytetarëve mbeten të pavaksinuar.
Instituti u bëri thirrje qytetarëve që janë ende të pavendosur që të përfitojnë nga vaksinimet, duke theksuar se kjo siguron mbrojtjen më të mirë kundër sëmundjes së rëndë të COVID-19.
Më tej kërkohet nga qytetarët që të vazhdojë të praktikojnë masat higjienike dhe distancën sociale si dhe të mbajnë maska në publik për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së virusit.
Deri më tani, 66.9 për qind e popullatës është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 ndërsa hezitimi dhe skepticizmi ndaj vaksinave mbetet një sfidë e madhe për autoritetet e kujdesit shëndetësor.