Universiteti i Tetovës dhe Universiteti Uludağ thellojnë bashkëpunimin
Një delegacion nga Universiteti Uludağ nga Republika e Turqisë, më 3 nëntor 2021, qëndroi për vizitë në Universitetin e Tetovës. Delegacioni turk udhëhiqej nga prorektori Prof. Dr. İrfan Kiriştioğlu i shoqëruar nga koordinatorja për bashkëpunim me projektet universitare (Mevlana, Erasmus+), Prof. Dr. Başak Aydem Çiftçioğlu, sekretari i përgjithshëm, Osman Dikmen dhe përgjegjësi i administratës për studentët e huaj, Bülent Albayrak. Ata fillimisht zhvilluan një takim të përbashkët pune me prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, dekanin e Fakultetit Filozofik, Prof.Dr. Ibish Kadriu, përgjegjësin për ECTS dhe udhëheqës i zyrës për doktoraturë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe mësimdhënësit e Filologjisë Orientale, Prof. Dr. Sulejman Baki dhe Doc.Dr. Zejni Mazllami.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së Prof. Dr. Shefik Shehu fillimisht i falënderoi mysafirët për vizitën që i kanë bërë Universitetit tonë dhe në pika të shkurtra prezantoi rrugëtimin e Universitetit tonë ndër vite që nga koha e themelimit në vitin 1994 e deri në ditët e sotme. Ai veçoi se Universiteti ynë tashmë është shndërruar në vatër të rëndësishme të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën tonë. Veç kësaj prorektori Shehu theksoi se përveç procesit mësimor – shkencor, Universiteti i Tetovës bashkëpunon me shumë universitete nga Republika e Turqisë, në mesin e të cilëve edhe me Universitetin Uludağ, si njëri nga universitet më të mëdha dhe më të rëndësishme. Ai më tej shtoi se është e domosdoshme nevoja e thellimit të këtij bashkëpunimi, në radhë të parë në fushën e shkëmbimit të studentëve përmes Erasmus+ dhe projekteve të përbashkëta akademike, të cilat do të ndihmonin jo vetëm studentët por edhe stafin akademik.
Ndërsa prorektori i Universitetit Uludağ, Prof. Dr. İrfan Kiriştioğlu, falënderoi udhëheqësin e Universitetit për mikpritjen dhe korrektësinë që kanë treguar deri më tani në aktivitetet dhe projektet e përbashkëta që dy universitet tona i kanë realizuar në sferën arsimore, por edhe atë të kërkimit shkencor. Mes tjerash ai tha se edhe Universiteti Uludağ dëshiron që të vazhdojë bashkëpunimin me UT-në edhe në të ardhmen dhe së bashku të realizojmë shumë projekte të cilat do të mirëpriten nga studentët dhe njëkohësisht do u japin mundësi të shumta atyre në arritjen e qëllimeve dhe formimin e tyre profesional.
Në shenjë respekti, mirënjohjeje dhe falënderimi, Prof. Dr. Shefik Shehu ua dhuroi mysafirëve një plaketë dhe disa nga numrat e veçantë të revistave shkencore që botojnë njësitë akademike të Universitetit të Tetovës. Më pas delegacioni i Universitetit Uludağ vizitoi hapësirat e Fakultetit Filozofik, ku u pritën nga dekani Prof. Dr. Ibish Kadriu dhe shefi i programit studimor të Filologjisë Orientale, Prof. Dr. Adnan Ismaili.
Me këtë rast dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Ibish Kadriu u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin që deri më tani kemi pasur me Universitetin Uludağ, duke përmendur edhe përvojën pozitive të programit studimor Filologji Orientale, i cili që nga themelimi ka pasur një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me këtë Universitet.