Do të vijojë sot në Beograd takimi i radhës mes presidentit serb Aleksandër Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në kuadër të nismës së re të “Open Balkan”.
Në këtë takim duhet të ishte i pranishëm dhe kreu i ekzekutivit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, por ai dha dorëheqjen të dielën e kaluar për shkak të humbjes së zgjedhjeve lokale dhe do të përfaqësohet nga Nikolla Dimitrov.
Liderët e Ballkanit pritet të fokusohen edhe njëherë në zbatimin e marrëveshjeve për 4 liritë kryesore të Bashkimit Europian për të forcuar më tej bashkëpunimin në rajon.
Takimi u parapri nga një darke jozyrtare “Një mbrëmje e mrekullueshme me miq nga rajoni. Unë dhe Ana Brnabiç u dhuruam mysafirëve tanë verëra të shkëlqyera serbe dhe guxuam t’i krahasonim me verërat shumë të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit”, shkruan Vuçiç në rrjetet sociale.
Në darkë ka qenë i pranishëm dhe kryeministrit malazez, Krivokapiç i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shfaqur mbështjetje për çdo nismë rajonale, duke lënë të hapur mundësinë për t’iu bashkuar “Ballkanit të Hapur”.
Ajo që bëri përshtypje në mbrëmje ishte dhe nderimi që iu bë kryeministrit Rama pas disa incidenteve të vogla të raportuar më herët, ku rruga e aeroportit të Beogradit ishte e mbushur me flamuj kuqezi.