Kush do ta zëvendësojë Zaevin?

Dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev ende nuk ka arritur në Kuvend, thonë nga Kabineti i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.

 “Ende nuk kemi marrë asgjë nga Qeveria”, thonë nga kabineti i kryeparlamentarit Talat Xhaferi

Jozyrtarisht, ende po vazhdojnë konsultimet me partitë qeverisëse lidhur me atë se kush mund ta zëvendësojë Zaevin. Në opinionin publik tashmë filluan kalkulimet me disa emra, por ende nuk ka asgjë zyrtare.

Partitë e koalicionit dje, pas takimit të djeshëm që e mbajtën me të në Qeveri, dolën me qëndrim se nuk pajtohen me dorëheqjen e Zaevit. Nga BDI, Besa, PDSh, por edhe nga partitë më të vogla maqedonase thonë se duhet të vazhdojnë reformat dhe politikat që i ka nisur kjo Qeveri. Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE kërkon që Zaevi ta deponojë dorëheqjen e tij në Kuvend.

 “Zoran Zaev sërish bënte blofe dhe dorëheqja e tij mbeti vetëm në Fejsbuk, por nuk e dorëzoi me shkresë në Parlament. Prej këtu mund të shihet se dorëheqja e Zaevit është e njëjta si ajo e Filipçes. E dha vetëm që ajo të mos pranohet”, tha Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së pas fitores të dielën paralajmëroi se do të ketë edhe shumicë të re, edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Dragan Kovaçki nga Komiteti Ekzekutiv i partisë, sikur të tërhiqet nga paralajmërimi për shumicë të re.

 “Ne u munduam të formojnë shumicë të re parlamentare, por duke pasur parasysh se në qoftë se kjo shumicë krijohet do të jetë e brishtë dhe funksionimi i saj do të vihej në pikëpyetje, qëndrimi ynë është se më së miri do të ishte që të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, shtoi Kovaçki.

Edhe Sekretari Gjeneral i Aleancës për Shqiptarët, që në koalicion janë me Alternativën, Arben Taravari në debatin e mbrëmshëm “Click Plus” të TV21 tha se pas një viti mund të ketë zgjedhje të parakohshme.

Vendimin për dorëheqje edhe si kryeministër, edhe si kryetar i LSDM-së, Zaevi e kumtoi të dielën pas zgjedhjeve. Tani dorëheqjen e tij duhet ta dorëzojë në Kuvend në formë të shkruar, kurse pastaj fillojnë të rrjedhin afatet brenda të cilave Presidenti Stevo Pendarovski duhet t’ia japë mandatin partisë që ka shumicë në Parlament për formimin e Qeverisë./rtv21.tv

About Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *