Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët arrijnë marrëveshje për mbështetje reciproke të kandidatëve për kryetarë në komunat ku garojnë. Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha i bëri thirrje aktivistëve të saj të mbështesin kandidatët e Aleancës për Shqiptarët në raundin e dytë zgjedhor. Një mbështetje reciproke partia e Bilall Kasamit e kërkon edhe për kandidatët e saj në Tetovë dhe Zhelinë.“Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të gjithë votuesit e Besës të mbështesin kandidatët e ASH-së duke ndihmuar kështu në mposhtjen politike të BDI-së dhe PDSH-së”- deklaroi Arjanit Hoxha, Sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes Besa.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari konfirmoi mbështetjen për kandidatët e Lëvizjes Besa, duke i bë thirrje votuesve të ASH-së të votojnë për Kasamin në Tetovë dhe Sejdiun në Zhelinë. Taravari më tej tha edhe një herë se pas 31 tetorit do të formohet shumicë e re parlamentare
“Edhe anëtarët dhe simpatizantët tanë dhe të gjithë votuesit e tjerë do t’i mbështesin kandidatët e Lëvizjes Besa në komunat ku ata përballen me BDI-në, flas për Zhelinën dhe Tetovës. Jemi në koordinim me Alternativën dhe mendoj se orëve në vijim edhe ato do të dalin me qëndrim ose do të vazhdojmë të jemi të koordinuar. Flasim për komunat ku garojnë Aleanca, Alternativa dhe Besa”- deklaroi Arben Taravari, Sekretar i përgjithshëm i ASH-së.
Veprimi i Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët erdhi një ditë pas marrëveshjes së arritur mes Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit për mbështetjen e kandidatëve të BDI-së në komunat ku garojnë./