“Ushtria jonë duhet të forcohet e zhvillohet për të siguruar e ruajtur paqen, demokracinë dhe progresin.” Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në ceremoninë e diplomimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që u mbajt në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, në Ferizaj.
Kurti vlerësoi ditë të veçantë për FSK-në dhe për vendin, sepse, siç tha ai, Ushtrisë së Kosovës, po i shtohen edhe 180 ushtarë të trajnuar, të përgatitur dhe të gatshëm për t’i shërbyer atdheut e për të mbrojtur qytetarët dhe territorin e vendit tonë.
“Gjatë nëntë javëve të trajnimit, ju jeni ballafaquar me sforcim fizik, ngarkesa psikike dhe detyra akademike, larg familjeve, nën disiplinë dhe vështirësi të tjera, të cilat nuk i keni hasur më parë. Të gjitha këto sfida kanë pasur vetëm një qëllim, t’ju përgatisin për të qenë ushtarë të Ushtrisë së Kosovës, për t’i shërbyer paqes me përkushtim të lartë dhe me vetëmohim”, ju tha kryeministri rekrutëve të posadiplomuar.
Ai theksoi se përfundimi i suksesshëm i stërvitjes ushtarake bazë, padyshim është meritë e punës së palodhshme dhe profesionale të stafit trajnues të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri përgëzoi oficerët dhe nënoficerët e Forcës së Sigurisë për këtë arritje dhe i inkurajoi të vazhdojnë të ruajnë dhe të avancojnë njohuritë në shërbim të edukimit dhe trajnimit të gjeneratave të reja të ushtarakëve.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe gjeneralë, oficerë dhe nënoficerë të FSK-së dhe të vendeve mike të Kosovës.