Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në Pentagon është takuar me nën-sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, Colin Kahl, ndërsa ka ofruar mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.
Mehaj këtë e njoftoi përmes një statusi në Facebook, ku ndër të tjera thotë se Kahl ka rikonfirmuar përkrahjen e SHBA-së për Kosovën drejt integrimeve euroatlantike duke theksuar se vizioni i presidentit Joe Biden për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE mbetet në agjendën prioritare.
Lexoni të plotë statusin e ministrit të Mbrojtjes:
Sot isha shumë i nderuar që në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes në Pentagon të takohem me Nën-Sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes, Dr. Colin Kahl.
Me këtë rast, Nën-Sekretarin Kahl, e njoftova me punën e suksesshme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së duke nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në çështjet e sigurisë në nivelin rajonal dhe atë global, me theks të veçantë, adresimin e sfidave rajonale në ambientin e ri gjeopolitik global të sigurisë.
Gjithashtu e njoftova se aspekti i sigurisë dhe mbrojtjes është ndër prioritetet kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke e informuar edhe lidhur me zhvillimet kryesore në Kosovë.
Ndërlidhur me këtë e falënderova Nën-Sekretarin Kahl duke i shprehur vlerësimin shumë të lartë për mbështetjen amerikane për Kosovën në avancimin e demokracisë dhe arritjen e objektivave për anëtarësim në strukturat euroatlantike.
Në kuptim të avancimit të partneritetit të përhershëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nën-Sekretarit Kahl i ofrova mundësinë për krijimin e një baze ushtarake të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, duke vlerësuar se do t’i kontribuonte shumë paqes dhe stabilitetit rajonal në Ballkan.