Gjithsej 3.000 vende të reja parkimi janë paraparë të ndërtohen në lokacione të ndryshme të Komunës së Çairit. Ndërtimi i këtyre vend-parkingjeve bëhet në suazat e Investimit strategjik që kompania globale Mabeteks do ta bëjë në Komunën e Çairit dhe marrëveshja e të cilit investim u nënshkrua me 6 shtator ndërmjet kreut të Çairit, Visar Ganiu dhe biznesmenit Bexhet Pacolli. Dhe ky investim strategjik kapë vlerën prej 80 milionë euro.
Garazhet do të jenë nëntokësore dhe me kate, ndërsa përfshihet i gjithë territori i Komunës së Çairit.
Njëri nga lokacionet do të jetë Parkingu nëntokësor tek Sheshi Skënderbeu që do të ketë 369 vende parkimi dhe do të shtrihet në sipërfaqe prej 14.000 m2, ndërsa kap vlerën investuese prej 23.370.000 euro.
Garazh me kate do të ndërtohet tek Xhamia Isa Beu me 185 vende parkimi në sipërfaqe prej 4.557 m2 dhe vlerë prej 1.932.000 euro, ndërsa garazhi me kate tek Teatri Shqiptar do të ketë 320 vende parkimi dhe do të shtrihet në sipërfaqe prej 7.500 m2 me vlerë prej 3.107.000 euro.
Në Çairçankë garazhi me kate do të ketë 280 vende parkimi në sipërfaqe prej 7.700 m2 dhe vlerë prej 3.201.000 euro.
Me ndërtimin e garazhit me kate te “Rruga e plastikave” do të krijohen 300 vende parkimi në sipërfaqe prej 7.539 m2 dhe vlerë prej 3.125.000 euro, ndërsa në garazhin me kate në lagjen Çair – parcela 7.36 do të ketë 410 vende parkimi në sipërfaqe prej 9.702 m2 dhe vlerë prej 4.000.000 euro.
Garazhi tjetër me kate në Lagjen Çair do të jetë në parcelën 7.35 me 170 vende parkimi në sipërfaqe prej 4.000 m2 dhe vlerë prej 1.704.000 euro.
Në Lagjen Çair do të ketë edhe dy garazhe të tjera me kate edhe atë në parcelën 7.38 me 107 vende parkimi dhe sipërfaqe prej 2.520 m2, si dhe vlerë investuese prej 1.114.000 euro dhe në parcelën 7.4 me 170 vende parkimi në sipërfaqe prej 4.000 m2 dhe vlerë investuese prej 1.704.000 euro.
Lokacioni tjetër mjaft i rëndësishëm ku do të ndërtohet garazh me kate me 170 vende parkimi në sipërfaqe prej 3.995 m2 me vlerë prej 1.706.000 euro, është përballë Çarshisë 4.16, ndërsa garazhi me kate Princ do të jetë me 350 vende parkimi në sipërfaqe prej 7.500 m2 me vlerë prej 3.209.000 euro.
Garazh me kate do të ketë edhe në KP 2079 Çair me 350 vende parkimi në sipërfaqe prej 14.700 m2 me vlerë prej 6.000.000 euro; pastaj në KP 1114/1 dhe KP 1109/5 në Qendër me 110 vende parkimi në sipërfaqe prej 2.625 m2 me vlerë prej 1.147.000 euro.
Me këto vend-parkingje jo vetëm që do lirohet hapësira e trotuareve dhe do mundësohet qarkullimi i lirë i qytetarëve, por edhe zhvillim më i lirë i trafikut, që do të thotë edhe më pak ndotje. Për këto katër vite Komuna e Çairit ka arritur të krijojë më shumë se 1500 vend-parkime të reja, të realizuara nëpër lagje të ndryshme në Çair dhe së fundi 220 vetëm mbi tregun e Bit Pazarit.