Çelsi është klubi që ka dërguar më shumë lojtarë të ndryshëm te goli këtë sezon në Premier Ligë. Blutë e Londrës kanë 12 golashënues të ndryshëm në 7 javët e para të kampionatit, tre më shumë sesa kampionët e Mançester Sitit, të cilët bashkë me skuadrën e Tomas Tuhelit krenohen me gjeografinë më të gjerë të shënuesve.
Ndërkohë që klubi i Mançester Junajtidit i ka ndarë golat vetëm mes gjashtë futbollistëve, sa gjysma e rivalëve të Çelsit. Romelu Lukaku, blerja rekord e Çelsit këtë verë, kryeson listën e golashënuesve të kampionëve të Europës me 3 gola.
Por i vetmi futbollist tjetër i Tuhelit, i cili ka shënuar më shumë se një gol, është qendërmbrojtësi i ri, Trevor Çalobah, i cili e gjeti golin në javën e parë të kampionatit kundër Kristal Palasit dhe në fundjavën e fundit kundër Sauthemptonit.
Golat e tjerë janë realizuar nga mbrojtësit Antonio Rydiger, Markos Alonso, Tiago Silva, Ris Xhejms dhe Ben Çiluell. Gjysma e golave të Çelsit në kampionat këtë sezon janë shënuar nga mbrojtësit e tyre. Kovaçiç dhe Kante janë mesfushorët që kanë shënuar, ndërsa Pulisiç dhe Haverc kanë lënë gjithashtu gjurmën e tyre, së bashku me të pafatin Verner, i cili u zhbllokua kundër Sauthemptonit.